Policia: 250 mijë euro kush tregon vrasësin
Publikohet ekspertiza e parë e policisë, në vendin ku u vra deputeti Fatmir Xhindi. Shërbimi Informativ përfshihet në hetime.
TIRANË- Kushdo që ka informacione të vlefshme për të zbardhur vrasjen e deputetit socialist, Fatmir Xhindi, do të shpërblehet me 250 mijë euro.
Kjo është shuma e vendosur nga policia shqiptare për njerëzit që do të ndihmojnë me zbulimin e autorit të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Krerët e policisë kanë kryer edhe veprimet e para në vendin e ngjarjes dhe kanë përcaktuar objektivat e hetimit. Përveç policisë dhe prokurorisë, në hetimin e kësaj dosjeje të rëndësishme është përfshirë edhe Shërbimi Informativ Shtetëror.
Burimet zyrtare të policisë pohuan dje se e gjithë vëmendja e uniformave blu është përqendruar në zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë. "Është hetuar dhe po hetohet hollësisht mbi aktivitetin e ditës së djeshme dhe më parë të viktimës.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me institucione të tjera të zbatimit të ligjit, po punon intensivisht për marrjen e informacioneve dhe analizimin e tyre me interes, me qëllim zbardhjen sa më parë të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë.
Policia e Shtetit fton çdo qytetar të bashkëpunojë në dhënien e informacioneve për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe vë në dispozicion 250 mijë euro shpërblim, duke ruajtur anonimatin",- thanë dje burimet zyrtare të policisë.
Kjo shumë e lartë është vendosur me qëllim joshjen e bashkëpunëtorëve të vrasësit për të treguar rrethanat e ngjarjes. Më pas policia ka publikuar edhe numrat ku mund të raportohen të dhënat për vrasjen dhe ata janë: 0694103251 dhe 0694107057.
Hetuesit shpjeguan dje se grupi hetimor ka mbledhur provat e para në vendin e ngjarjes, ku ka kryer edhe ekspertizën paraprake. Nga kjo ka rezultuar se ndaj deputetit Xhindi është qëlluar të paktën 15 herë.
"Deri në këtë fazë të hetimit janë kryer këto veprime: Këqyrja e hollësishme e vendit të ngjarjes, filmimi dhe fotografimi i tij, fiksimimi dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i 15 gëzhojave model 56, kalibri 7.62 milimetra, sekuestrimi i katër bërthamave të predhave dhe pesë copë këmishëve të predhave, sekuestrimi i një pakoje aspirinë tabletë, sekuestrimi i një qeseje plastmasi, ekzaminimi mjekoligjor i kufomës, marrja e mostrave të gjakut nga viktima dhe vendi i ngjarjes.
Të gjitha këto prova janë vënë menjëherë në dispozicion të Laboratorit Qendror Kriminalistik dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore për përpunime dhe ekzaminime krahasuese të mëtejshme shkencore",- thanë dje burimet e policisë.
Sipas tyre, grupi hetimor është nën drejtimin e drejtuesve të prokurorisë për krime të rënda dhe përbëhet nga ekspertët më të mirë të hetimit të krimit në" Policinë e Shtetit, ekspertët e Laboratorit Shkencor, të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të strukturave të SHISH-it.
Gjithashtu, të gjithë strukturat e Policisë së Shtetit kanë kaluar në shërbim të përforcuar për marrjen e masave kufizuese dhe kontrolluese të territorit ku mendohet të lëvizë ose strehohet autori i krimit të rëndë",- thanë burimet zyrtare.