E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronari i Restorantit: Fatmiri u nda miqësisht kur iku

Rrëfejnë klientët e lokalit ku qëndroi për herë të fundit deputeti socialist mbrëmjen e të shtunës

Xhindi u largua i qetë nga lokali, pasi takoi të gjithë personat që ndodheshin aty dhe u përshëndet me ta përzemërsisht


ROSKOVEC- Restoranti i i Bujar Kukajt, ndodhet thuajse në qendër të fshatit Kurjan të komunës me të njëjtin emër. Pikërisht në këtë lokal, deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, ka qëndruar për një kohë në lokalin e bashkëfshatarit të tij, ku ka biseduar me njerëz të ndryshëm që ndodheshin në lokal dhe me të cilët ai kishte njohje prej vitesh.

Bujar Kuka, pronari i lokalit ku qëndroi për herë të fundit deputeti Xhindi, ka treguar dje për media të ndryshme vizive, dhe për ato të shkruara se ai e kishte takuar, mikun e tij, pasditen e së shtunës pasi ai kishte mbyllur punën e tij në zonën e ullishtave që kishte në pronësi në fshatin e tij të lindjes në qendër të fshatit të Kurjanit, ose siç thonë ndryshe banorët "lart në fshat".

Po kështu veç Kukajt, edhe persona të tjerë të cilët i kanë pohuar se deputeti socialist gjatë ditës së shtunë kishte qëndruar dhe kishte biseduar me ta për çështjet që shqetësonin banorët e zonës si bujqësia, ullinjtë, toka etj.

Sipas Kukajt, Xhindi kishte qëndruar në lokal, deri rreth orës 20:30 të mbrëmjes. Bashkë me të sipas tij, kishin qëndruar edhe persona të tjerë që njiheshin mirë me Fatmirin.

"Nuk mbaj mend se cilët ishin, por që dukej se ata ishin të njohur mjaft mes tyre, - ka pohuar Kuka. Sipas të njëjtit person, Xhindi, pasi qëndroi në kafenenë e tij deri pak para orës 21:00, u largua fare i pa shqetësuar dhe dukej krejt normal, ndërsa përpara se të largohej iu dha dorën thuajse të gjithë njerëzve që ndodheshin në lokal, dhe u nda me ta krejt miqësisht. "Ai punoi një kohë të gjatë në zonën që kishte ullishtën e tij dhe në atë pak vreshtë që kishte.

"E kush nuk e donte dhe e respektonte Fatmirin në Kurjan dhe në Roksovec?- pyet Bujari. Më tej ai pohon se Fatmiri ishte njeriu i thjeshtë punëtor. "Nëse nuk do ta njihje, nuk do ta kuptoje kurrë që ai ishte deputet,- thotë banori i fshatit Kurjan.

Ndërkaq, një tjetër person që ka qëndruar dhe që ka biseduar me deputetin Xhindi mbrëmjen e të shtunës është edhe Oli, një djalë me trup të mbushur rreth 35 vjeç.

"E pashë mbrëmë aty në tavolinë të ulur tek bisedonte me njerëzit, nuk të jepte aspak përshtypjen se mund të kishte probleme, apo se mund të ishte kërcënuar. Gjithmonë vinte në lokal dhe bisedonte me njerëzit thuajse me të gjithë".

Kështu pohon, ai ndërsa shton se gjithmonë pas punës tek ullinjtë vinte dhe bisedonte në lokal ndërsa kthente kafenë që pinte aty. Gjithçka sipas tyre ka ndodhur vetëm pak minuta pasi Fatmiri ishte larguar nga lokali i tyre për të mbërritur në shtëpinë e tij, në qytezën e Roskovecit. "Nuk mund ta besojmë ende se ka ndodhur një gjë e tillë.

Ai ishte vetëm pak minuta para se të ndodhej në lokal më pas pamë në lajmet e televizioneve të ndryshme se Fatmiri ishte vrarë",- thotë një banor që ishte takuar me deputetin e ekzekutuar pak përpara se ai të nisej për në shtëpinë e tij në Roskovec.

Dëshmitarët: Deputeti nuk ka pasur konflikte


Pak orë pas ngjarjes së të shtunës në mbrëmje, policia e qarkut të Fierit, ka shoqëruar në ambientet e saj rreth 10 persona, të cilët janë pyetur në lidhje me rrethanat e hetimit të krimit të rëndë të ndodhur përpara banesës së deputetit socialist Xhindi.

Nga këta dëshmitarë dy prej tyre sipas burimeve të policisë kanë qenë më të rëndësishëm dhe që janë pyetur me imtësi nga oficerët e hetimit të krimeve në Drejtorinë e Policisë së Fierit. Sipas burimeve të policisë, dëshmitarët kanë pohuar se kishin dëgjuar krismat dhe pak minuta pas ngjarjes ishin nisur në drejtim të vendit nga vinin krismat.

Ndërkaq ata kanë pohuar se kishin parë se trupi i tij, po transportohej me një automjet për në spital. Sipas dëshmitarëve të pyetur nga policia, nuk ka rezultuar të kishte pasur lëvizje për një farë kohe në zonën rreth banesës së deputetit Xhindi.

Dëshmitarë të ndryshëm dhe banorë të zonës janë pyetur nga policia nëse kishin të dhëna apo informacione rreth konflikteve të mundshme të deputetit.

Thuajse të gjithë personat kanë pohuar se nuk kishin pasur ndonjëherë informacione se deputeti mund të ishte konfliktuar me ndonjë person për shkaqe apo motive të ndryshme.


RENEA, përforcime të tjera në Fier


Tri grupe të efektivave të RENEA-s kanë mbërritur pasditen e djeshme në qytetin e Fierit, dhe atë të Roskovecit, për të qenë të gatshëm në ndonjë rast ndërhyrjeje.

Rreth orës 1&:00, efektivët e repartit elitë, janë thirrur për të marrë pajimet dhe për t'u nisur në drejtim të qytetit të Fierit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi. Në pak minuta, efektivët e RENEA-s, janë gjendur në automjetet e tyre, ndërsa ata janë nisur në drejtim të qytetit jugor.

Rreth orës 19:20 minuta, trupat e RENEA-s kanë mbërritur në qytetin e Fierit dhe janë instaluar pranë drejtorisë së Policisë së Qarkut dhe Komisariatit të Policisë së Fierit. Ende nuk dihet nëse efektivët e RENEA-s, ishin nisur me një qëllim të caktuar që më parë, apo janë thirrur nga Prençi, për të qenë të gatshëm në çdo situatë.

Aty trupat iu janë bashkuar edhe disa trupave të tjerë të RENEA-s që kishin mbërritur që mbrëmjen e së shtunës, si dhe të një reparti të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë që ndodhet në territorin e qarkut të Fierit.

Mësohet se grupet e mësipërme kanë qëndruar në gatishmëri, gjatë gjithë kohës, për të ndërhyrë nëse ajo do të ishte e nevojshme dhe do të gjykohej nga krerët e Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë që po ndjekin nga afër hetimet për zbardhjen e krimit të rëndë.


3 orë afërsisht mendohet se ka qëndruar deputeti i vrarë socialist Fatmir Xhindi, në ambientet e lokalit në pronësi të familjes Kuka, në qendër të fshatit Kurjan të Roskovecit.

6 plagë kishte marrë deputeti Fatmir Xhindi gjatë atentatit të organizuar nga persona ende të panjohur ndaj tij, pranë banesë së tij, në qytezën e Roskovecit në Fier.

10 persona në cilësinë e dëshmitarëve që kanë dijeni mbi rrethanat e ngjarjes, janë pyetur nga efektivët e policisë dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda që po hetojnë krimin e rëndë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›