Policia; Asnjë krismë afër banesës së përfaqësuesit të PS-së në Rrushkull
Për të dytën herë, ashtu si dhe në rastin e Xhafzotajt, Partia Socialiste del bllof. Tashmë, përfaqësuesit e kësaj partie kanë filluar që edhe fishekzjarrët t’i trembin dhe t’u duken krisma armësh. Përfaqësues të kësaj partie kanë aluduar se banesa e një përfaqësuesi të partisë së tyre është qëlluar me armë. Por, hetimet kanë vërtetuar të kundërtën, ndërkohë që fqinjë të vetë përfaqësuesit të PS-së kanë deklaruar se në fshat nuk janë dëgjuar krisma. Përfundimisht, policisë së Durrësit i rezultoi se nuk ka pasur të shtëna me armë afër banesës së përfaqësuesit të Partisë Socialiste në Rrushkull të Sukthit. Përfaqësuesit e PS-së e cilësuan këtë si një tjetër akt kundrejt pjesëtarëve të partisë së tyre, por duket se zhurma nuk ka qenë e një krisme arme, por mund të ketë qenë një fishekzjarr. Fakti konfirmohet edhe nga vetë përfaqësuesi i PS-së në këtë zonë. Sipas burimeve nga policia, gjatë verifikimit të kryer, përfaqësuesi i PS-së, Selman Hysa, deklaroi me shkrim se ai nuk ka pasur asnjë kërcënim dhe se krisma që ka dëgjuar mund të ketë qenë fishekzjarr. Po kështu, fqinji i tij, A.C., sipas burimeve policore, deklaroi se nuk ka pasur asnjë krismë në atë zonë. Në fillim u dyshua për një sulm me armë dhe për presion ndaj përfaqësuesve të PS-së. Por, hetimet treguan se një gjë e tillë nuk është e vërtetë dhe se afër banesës nuk është dëgjuar asnjë krismë.