Reagimi, PS-ja e Korçës: Dëfrim Rena, jo militant i partisë sonë
Partia Socialiste në fshatin Vreshtas të Korçës mohon që shtetasi Dëfrim Rena të jetë pjesë e kësaj partie, qoftë edhe militant i saj. Vetë përfaqësues të kësaj partie kanë hedhur poshtë pretendimet e këtij shtetasi se është rrahur ngaqë i përket PS-së. Fakti konfirmohet nga burime zyrtare policore, të cilat lidhur me këtë ngjarje theksojnë se “jemi informuar se në fshatin Vreshtas të Korçës është rrahur shtetasi Dëfrim Rena, banues në fshatin Vreshtas të Korçës. Ky shtetas pretendon se është rrahur për motive politike dhe se i përket forcës politike të majtë, asaj të PS-së. Për sqarim të këtij incidenti, nga ana jonë u komunikua me drejtuesit kryesorë të kësaj force politike për fshatin Vreshtas dhe konkretisht me kryetarin e kësaj force, shtetasin Florenc Tabaku, i cili sqaron se personi i dëmtuar nuk ka lidhje me këtë forcë politike, nuk është rrahur për motive politike dhe se nuk është aktivizuar prej tyre për fushatë elektorale, për të cilat pretendon i dëmtuari”. Por, - njoftojnë burimet policore, - sipas bashkëfshatarëve të tij, rezulton se shtetasi i dëmtuar Dëfrim Rena është me probleme mendore dhe për këtë është shoqëruar në dy raste për t’u trajtuar në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit.