E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: Dy shijakasit janë vrarë gabimisht

27/05/2011  Autori ishte grindur më parë me 2 persona, me mjet të ngjashëm me ato të viktimave

DURRES- Dy personat e ekzekutuar në një pritë dhe dy të tjerë të plagosur nga ngjarja kriminale e natës të së mërkurës kanë qenë viktima të një gabimi në shënjestër. Deklarimi është bërë nga policia e Durrësit rreth 11 orë pas ngjarjes në Katër Rrugët e Shijakut ku janë vrarë shtetasit Blerim Kërtalla 37 vjeç dhe Mariglen Avdullai 35 vjeç, si dhe janë plagosur Altin Avdyli e Altin Brahimaj të moshës 34 vjeç e 27vjeç.

Krimi

Për krimin që detyroi policinë të qëndronte në këmbë deri në mesditën e djeshme, është akuzuar shtetasi Emiljana Tema 25 vjeç i cili është arrestuar në të gdhirë. Policia ka bllokuar edhe një armë automatike model 56 me dy karikatorë njëra prej të cilave kishte 30 fishekë. Burime zyrtare të policisë së Durrësit kanë thënë se katër shtetasit që janë vënë gabimisht në shënjestër kanë qenë duke udhëtuar me mjetin Fuoristradë Benz ML me targa AA 542 KX kanë qenë në rotondën e Katër Rrugëve të Shijakut në kohën e përballjes me një breshëri plumbash. Në të gdhirë të së enjtes policia ka vënë në pranga shtetasin Emiljano Tema duke e akuzuar atë për vrasje në rrethana të cilësuara. Për të akuzuar 25-vjeçarin policia e Prokuroria është dashur të marrin në pyetje shumë persona që kanë qenë dëshmitarë rastësorë, tregtarë të lokaleve dhe banorë të zonës. Ndonëse nuk janë dhënë detaje të hollësishme lidhur me këtë krim të rëndë mësohet se Tema ka qëlluar gabimisht në drejtim të katër shtetasve që udhëtonin me fuoristradë. Madje lloji, tipi e ngjyra e mjetit është bërë shkak për hapjen zjarr në drejtim të Benzit AA 542 KX. Pas hetimeve paraprake thuhet se Emiljano Tema, i dënuar edhe tre herë të tjera për vepra të ndryshme penale, kishte bërë fjalë me dy persona para se të kryente krimin. Policia ka bërë të ditur se Tema është grindur me shtetasit I.K e S.T., të cilët kanë qarkulluar disa herë në vendin e quajtur Katër Rrugët me mjet të ngjashëm me atë të viktimave. Tema dhe dy personat e mësipërm me iniciale kanë qenë bashkë në një lokal dhe janë grindur. Ndonëse janë pajtuar njëri prej tyre me ndihmën e xhaxhait e ka rrahur. Kjo ka bërë që ai të marrë armën e të dalë në rrugë për hakmarrje. Në kohën që mjeti është shfaqur është lëshuar një breshëri automatiku duke lënë të vdekur në vend shtetasin Kërtalla e Avdullai. Policia e Prokuroria mendojnë se kanë siguruar prova të mjaftueshme për të ngritur akuzën ndaj këtij shtetasi. Arma automatike e bllokuar në banesën e shtetasit Tema do i nënshtrohet kontrollit balistik në laboratorin e kriminalistikës në Tiranë. Nëse do të rezultojë se kjo armë ka shtënë në ngjarjen tek Katër Rrugët, atëherë i akuzuari kryesor do të mbetet Emiljano Tema. Por ka edhe zëra që thonë se Tema duke qenë me precedent të përsëritur kriminal është arrestuar për të hetuar të dyshuar të tjerë, praktike e njohur në veprimet e policisë. Zyrtarisht nuk është thënë asgjë lidhur me të vrarët e të plagosurit nëse ata kanë pasur ndonjë precedent penal të mëparshëm. Një e tillë ngjarje ka ndodhur më 29 mars teksa në lagjen numër 5 të Durrësit shtetasi Mustafa Hyseni ka vrarë me pistoletë 20-vjeçarin Arben Bardhi. Hyseni është vetëdorëzuar 3 ditë pas krimit nën kushtet e pendesës duke dëshmuar sipas policisë se objekt krimi ka qenë një person tjetër dhe jo Bardhi dhe se ai kishte gabuar në shënjestër.

Precedentët e autorit

1. Emiljano Tema, 22 vjeç, banues në Shijak Durrës, i dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” ishte në kërkim pasi Prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë nën akuzën si autor i plagosjes së rëndë me dashje të shtetasit Rifat Xhili, 34 vjeç. Ngjarja ka ndodhur me datë 15 mars 2008, në fshatin Ndroq në Tiranë.

2. Prokuroria e Tiranës ka marrë nën hetim shtetasin Emiljano Tema lidhur me çështjen e vjedhjes së llogarive bankare përmes transaksioneve financiare. Ai është akuzuar asokohe si bashkëpunëtorë me të 17 personat e arrestuar në Tiranë, gjatë operacionit policor të koduar “Matrix 4”. Të pandehurit e këtij operacioni akuzohen për vjedhjen e rreth 2 milionë eurove nga llogari të ndryshme bankare, nëpërmjet klonimit të kartave të kreditit “VIZA” dhe “MASTERCARD” me informacionet e personalizuara të personave të tretë. Sipas të dhënave hetimore, numërohen 400 raste, nga të cilat 272 në Tiranë dhe 128 në qytetet Durrës, Fier, Vlorë, Kavajë etj., ku vidheshin llogaritë bankare të shtetasve të huaj, rezidentë në shtete perëndimore.

3. Emiljano Tema, i arrestuar në Tiranë në korrik 2008 për “plagosje të rëndë me dashje” është hetuar edhe për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së bimëve narkotike”. Tema është akuzuar se është autor i plagosjes se rënde me dashje, pas një konflikti për motive të dobëta, të shtetasit Rifat Xhili, më 15 mars 2008 në Ndroq, Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›