E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia akuzon organizatoret 113 te arrestuar

Policia ka akuzuar organizatorët e protestës të së premtes se kanë provokuar dhe nxitur aktet e dhunës kundër forcave të rendit. Në reagimin e parë nëpërmjet zëdhënëses për shtyp Alma Katragjini, policia e qarkut Tiranë ka bërë të ditur se protestuesit kanë hedhur bomba molotov, mjete të tjera zjarrëvënëse dhe gurë në drejtim të forcave policore që kishin si detyrë ruajtjen e selisë së kryeministrisë. Pas këtyrë ngjarjeve policia e Tiranës ka vënë në pranga 113 persona.

"Pas grumbullimit para ndërtesës të Këshillit të Ministrave, grupe demonstruesish, në prani dhe me nxitjen e drejtuesve dhe organizatorëve të demonstratës goditën me gurë e sende të tjera të forta punonjës të policisë, të cilët ishin të planizuar me shërbim për të garantuar sigurinë publike. Grupe demonstruesish tentuan të hyjnë me dhunë në ambientet e Këshillit të Ministrave, duke përdorur bomba molotov, mjete të tjera zjarrvënëse dhe  gurë. Gjatë gjithë kësaj kohe, Punonjësit e Policisë, kanë ruajtur gjakftohtësinë, dhe kanë vepruar me profesionalizëm në zbatim të ligjit duke ju shmangur çdo provokimi të bërë. Gjatë demostratës, tre persona kanë gjetur vdekjen ndërkohë që janë plagosur 42 punonjës policie, si  dhe 65 punonjës të tjerë policie që janë lënduar, kanë marrë trajtim mjekësor në terren. Për konsumim të veprave penale të “Kundërshtimit të punonjësve të policisë së rendit” si dhe “Shkatërrim të pronës”, u krye arrestimi në flagrancë i 113 shtetasve", tha  Alma Katragjini zedhënëse e policisë së Tiranës.

Mbi personat e arrestuar kanë nisur procedurat gjyqësore, ndërkohë që policia vazhdon hetimet për të tjerë të implikuar të mundshëm.

Nertan Prifti

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›