Zjarri në Krrabë vihet nën kontroll

Pas 6 ditësh vihen nën kontroll vatrat e zjarrit në zonën e Krrabës. Puna e drejtorisë së pyjeve,ndihma që i është dhënë nga komuniteti dhe helikopterët e ardhur nga Turqia kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve që për ditë me radhë shkrumbuan disa hektarë pyje e kullota. Për inspektoriatin e policisë pyjore ky ishte një aksion tepër i vështirë, sepse terreni malor dhe mjetet e pamjaftueshme të policisë pyjore sjellin gjithmonë vonesa në neutralizimin në kohë të zjarreve.
Kjo është zonë e cila është vënë nën kontroll, por sipas inspektoriatit të policisë pyjorë në Tiranë ka edhe disa vatra të tjera aktive. Më problematikja vazhdon të jetë ajo në malin e Dajtit e cila vazhdon prej javësh, por ende nuk është fikur. Në shumicën e rasteve duket se zjarrëvënia është e qëllimshme.