E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia arreston hajdutin serial, grabiste qytetarët

14/11/2009  Artur Mancaku, dje kanosi dhe grabiti kamerieren e një lokali në Kamëz

TIRANE- Agjentët e policisë së kryeqytetit kanë mundur të vënë në pranga një vjedhës serial, i cili me anën e një thike u bënte presion qytetarëve në rrugë, duke i grabitur atyre gjithçka që kishin me vete. Personi i ndaluar quhet Artur Mancaku nga Kodër Kamza, ndaj të cilit aktualisht policia e Tiranës ka filluar hetimet për një sërë akuzash, duke filluar nga ajo e “vjedhjes me dhunë” e deri tek “plagosja e lehtë me dashje”. Sipas burimeve zyrtare pranë policisë së Tiranës 36-vjeçari Mancaku, dyshohet se është autor i disa vjedhjeve të ndodhura në zona të ndryshme të kryeqytetit. Policia tha se ai pasi “shënjestronte” qytetarët që tërhiqnin lekët nga bankomati apo që vinte re se në xhepat e tyre ndodhej një sasi e konsiderueshme lekësh, Mancaku zgjidhte momentin e duhur për t’i grabitur ata. Veprimi kriminal në shumicën e rasteve kryhej me një thikë, të cilën autori e mbante gjithnjë me vete. Mancaku merrte guximin që t’u dilte përpara qytetarëve dhe nëpërmjet thikës, u bënte presion atyre, që të dorëzonin paratë që kishin me vete si dhe sendet me vlere. Në rast se shtetasit nuk i bindeshin kërkesave të 36-vjeçarit atëherë, ky i fundit i qëllonte me thikë duke i lënë të plagosur. Një nga këto raste që tashmë është dokumentuar plotësisht nga agjentët e policisë së Tiranës, ka ndodhur disa ditë më parë tek shinat e trenit afër Nish Tullës nr 3. Pikërisht në këtë vend Artur Mancaku, rreth orëve të mesditës dyshohet se i ka zënë rrugën shtetasit 31-vjeçar Flamur Mera dhe pasi e ka goditur me thikë në kokë i ka marrë portofolin, në të cilin ndodheshin 18 000 lekë të reja. Lidhur me ngjarjen i dëmtuari denoncoi rastin menjëherë në polici dhe pas hetimeve të para efektivat mundën të identifikojnë dhe të shpallin në kërkim të sipërcituarin. Gjatë kohës së qëndrimit në arrati, 36-vjeçari Mancaku është rishfaqur sërish në ambientet e një lokali që ndodhet në Kodër Kamëz. Në këtë vend i arrestuari ka kanosur për vdekje kamerieren e lokalit, të cilës ja mbante thikën afër barkut. E ndodhur në këto kushte kamerierja me inicialet K. Lila, i ka dorëzuar gjithë lekët e xhiros ditore agresorit, i cili pasi ka thyer disa xhama dhe tavolina është larguar menjëherë. Lidhur me këtë çështje ka marrë dijeni policia, e cila pas disa kontrollesh ka mundur të arrestojë grabitësin serial.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›