E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia arreston tre persona, dy doganierë nën hetim

06/06/2009  Veshjet kontrabandë

Specialistët e Antikrimit Ekonomiko-Financiar të policisë së kryeqytetit kanë çuar dje në qeli tre persona pasi akuzohen për veprën penale të “Tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë”, ndërsa hetohen në gjendje të lirë për shpërdorim detyre, dy punonjës në doganën e aeroportit. Pas hetimeve që zgjatën tre muaj, policia e Tiranës ka mundur të kapë në autostradë 35-vjeçarin Albert Daçi, 52-vjeçarin Dedë Gjonaj dhe 59-vjeçarin tjetër Sinan Doku. Nga informacionet e mara në rrugë operative policia organizoi një operacion të koduar “Blu xhins”, i cili u finalizua me kapjen e tre personave te mbikalimi në Qafë Kashar, pasi gjatë një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në automjetet e tyre, u gjendën të ngarkuara mallra të dyshuara se mund të kenë hyrë kontrabandë, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Rinas. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se tre të arrestuarve ju sekuestruan në cilësinë e provës materiale 500 palë xhinse të llojeve të ndryshme, 500 copë bluza të llojeve të ndryshme, 400 copë fustane të llojeve të ndryshme, 60 copë kostume femrash të llojeve të ndryshme, 20 copë xhaketa të llojeve të ndryshme, si dhe 20 copë funde të llojeve të ndryshme. Aktualisht materialet hetimore në ngarkim të tyre ju referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të “Tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë”. Ndërkohë, që policia ka çuar për ndjekje penal për “Shpërdorim detyre”, dy punonjës turni në doganën e Rinasit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›