E Diel, 1 Nëntor 2026

I dehuri qëllon rrugëve me armë, më pas vret veten

05/06/2009  Viktima njihej si person problematik, kërcënoi me armë disa banorë

Telefonata e fundit me familjen: “Ma bëni hallall, po vras veten”

SHKODER- Veprimet e papërgjegjshme të ardhura për shkak të konsumimit të tepërt të alkoolit ka shtyrë në vetëvrasje një shtetas në qytetin e Shkodrës. Bëhet fjalë për shtetasin 52-vjeçar Ahmet E., i cili në gjendje të dehur i ka dhënë fund jetës me një plumb pistolete brenda ambienteve të një lokali në qytetin e Shkodrës. Ngjarja ka filluar rreth orës 14:45 në rrugën e gjerë jo shumë larg teatrit “Migjeni” Shkodër. Burimet policore shprehen se shtetasi Ethemi në gjendje të dehur është ndalur pranë një shitësi fillimisht për të blerë dhe më pas ka nxjerrë pistoletën. Shitësi është larguar me vrap sapo ka parë pistoletën, ndërkohë që shtetasi Ethemi e ka ndjekur atë për rreth 100 metra duke qëlluar me pistoletë në ajër. Duke qenë se ngjarja ndodhi shumë afër qendrës së qytetit, blutë kanë mbërritur me shpejtësi, duke i bërë thirrje të lëshonte pistoletën në tokë. Shtetasi Ethemi nuk i është përgjigjur kësaj thirrjeje, por është futur me shpejtësi në ambientet e një lokali anash rrugës dhe më pas është dëgjuar një krismë e vetme. Gjendja e tij e dehur dhe veprimet e kryera duket se e kanë shtyrë shtetasin Ethemi që t’i japë fund jetës me plumbin e fundit të pistoletës në kokë. Të njëjtat burime policore sqarojnë se viktima njihej si person që konsumonte alkool dhe herë pas here shfaqte shqetësime nervore. Grupi hetimor i punës po vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve fillestare të ngjarjes së djeshme që përfundoi me vetëvrasjen e një shtetasi. Burimet shprehen se para vetëvrasjes shtetasi Ethemi ka marrë në celular familjen dhe u ka thënë t’ia bënin hallall gjithçka se po vriste veten.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›