E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia bashkiake, aksion për zhurmën në fundjavë

Aksioni i ndërmarrë nga bashkiakët këtë te shtune e te diele u ka lënë natën përgjysmë dhjetëra të rinjve dhe u ka mbyllur "muzikën" lokaleve që nuk kanë pasur dokumentacionin përkatës për të ngritur muzikën pas orës 23:00 

TIRANE-Këtë fundjavë që lamë pas e ka pasur radhën Policia bashkiake për kontrollet e lokaleve që prishin qetësinë publike, pas aksionit të një jave më parë të Ministrisë së Mjedisit. Kështu Agjencia Rajonale e Mjedisit mbylli aktivitetin dhe gjobiti plot 30 lokale nate që nuk respektonin normat por edhe për sa i përket ndotjes akustike. Aksioni i ndërmarrë nga bashkiakët këtë te shtune e te diele u ka lënë natën përgjysmë dhjetëra të rinjve dhe u ka mbyllur "muzikën" lokaleve që nuk kanë pasur dokumentacionin përkatës për të ngritur muzikën pas orës 23:00. "Duke marrë shkas nga problematika e kohëve të fundit, lidhur me shqetësimet dhe ankesat e banorëve dhe qytetarëve të ndryshëm, për sa i përket nivelit të lartë të zhurmave që shkaktojnë lokalet dhe baret që ushtrojnë aktivitetin e tyre në orët e vona të natës, policia bashkiake në bashkëpunim me strukturat e tjera të linjës ka ndërmarrë një aksion për gjobitjen dhe mbylljen e disa lokaleve të cilat, me zhurmat dhe muzikën e lartë deri në orët e vona ishin kthyer në një shqetësim për qetësinë e banorëve", - ka bërë të ditur Bashkia e Tiranës. Aksioni është shtrirë në të gjithë kryeqytetin (brenda dhe jashtë Unazës), por kryesisht në zonën e Bllokut, një zonë kjo mjaft e frekuentuar në orët e vona të natës, dhe ka zgjatur nga ora 23:00 e mbrëmjes deri në orët e para të mëngjesit. Sipas Bashkisë, aksione të tilla do të vijojnë dhe në ditët e ardhshme.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›