E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia bashkiake shemb shtesën pa leje tek Shallvaret, Hoxha: Aksioni vazhdon

TIRANË- Policia bashkiake ka ndërmarrë sot një tjetër aksion për shembjen e ndërtesave të ngritura pa leje. Sot ata janë ndalur tek zona e Shallvareve, ku kanë shembur një shtesë pa leje tek njëri prej pallateve 5 katësh. Objeki I ndërtuar muajt e fundit është shembur në mënyrë mekanike, pasi ndërhyrja me makineti ka qënë e pamundur.
Në terren ka qënë edhe Drejtori I policisë Bashkiake Florec Hoxha, i cili u ka bërë apel qytetarëve të mos ndërtojnë pa leje dhe në shkelje të plotë të ligjit, pasi policia bashkiake, sic tha ai nuk do lejojë më një abuzim të tillë.

“Po shembim një drejtim pa leje, patëm rezistencë nga pronarët e banesës por më pas ata u bindën dhe pranuan që duhet të zbatohet ligji në këto momente. Iu bëj me dije qytetarëve në Tiranë se situata në bashkinë e Tiranës ka ndryshuar. Të respektojnë kritere dhe normat e përcaktuara në ligj në lidhje me ndërtimet dhe të mos marrin iniciativa që janë në dëm të tyre dhe në dëm të të gjithë qytetarëve që të shikojmë këto ndërtesa që mbijnë dita ditës në Tiranë, që janë një shkelje flagrante, e ligjit”, tha ai.

Hoxha tha më tej se policia bashkiake ka marrë të gjitha masat për të mos lejuar më ndërtime pa leje, por gjithashtu për të identifikuar të gjitha objektet e ngritura në shkelje flagrante me ligjin.

“Janë marrë të gjitha masat, është bërë studimi nga inspektorët dhe inxhinierët, të cilët kanë përcaktuar kushtet dhe mënyrën e shembjes së këtyre objekteve, si dhe largimin e inerteve. Ne po vazhdojmë aksionin tonë me identifikimin e objekteve të paligjshme dhe po vazhdojmë shembje ne tyre hap pas hapi”, tha ia.

Kjo është ndërtesa e 6 që policia bashkiake shemb brenda pak ditësh. Të gjitha këto ndërtime pa leje janë ngritur gjatë kohës së fushatës zgjedhore. Policia Bashkiake ka bërë bllokimin e punimeve në rreth 107 raste të ndërtimeve pa leje, ndërsa aksionet në terren vijojnë çdo ditë, nga strukturat përkatëse të Bashkisë së Tiranës.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›