E Hënë, 2 Nëntor 2026

Policia dhunë mbi banorët,rifilojnë punimet në Kakome

25/02/2005  Plagoset rëndë një grua, përfundojnë 5 në spital, 12 në biruca

SARANDË - Policia shpërndan me dhunë protestuesit dhe të ngujuarit, ndërsa ka rifilluar puna për ndërtimin e fshatit turistik të Kakomesë. Gjatë përplasjes së policisë me protestuesit, është plagosur rëndë një grua, pesë persona të tjerë kanë përfunduar në spital, ndërsa janë shoqëruar dhjetëra të tjerë në polici, midis të cilëve edhe kryeplaku Vladimir Kumi.

Drejtues të këtij institucioni kanë deklaruar se lirimi i tyre pritet në orët në vazhdim.

Shpërndarja e protestuesve

Shpërndarja e protestuesve në grykën e Prodanit, është realizuar në orën 13 e 30 minuta pas thirrjeve të shpeshta nga policët me megafon që turma e banorëve të largohej qetësisht nga vendi ku qëndronin që prej 4 ditësh. Pasi turma nuk iu bind këtyre thirrjeve, policia ka ndërhyrë, duke përdorur shkopinjtë e gomës mbi banorët për të vazhduar punën, mjeti i firmës ndërtuese "Guri i bardhë " nga Ura Vajgurore Berat. Pas disa çastesh përleshjeje, policia ka shpërndarë turmën, duke kaluar fadroma në krahun tjetër të vendit ku ishin vendosur çadrat e ngritura nga banorët një ditë më parë, për t’u mbrojtur nga i ftohti dhe shiu.

Ndërhyrja në rrugën nacionale

Rreth 30 minuta më vonë, policia ka ndërhyrë në grupin tjetër të protestuesve në rrugën nacionale Vlorë-Sarandë. Kjo rrugë, qëndroi e bllokuar për tre orë rresht prej orës 11.00 deri në orën 14.00 nga protestues nga fshati Nivicë, pjesa më e madhe e tyre gra. Gjatë kësaj kohe, 70 automjete kanë pritur në të dy krahët e rrugës, pasi ajo ishte bllokuar me gurë nga protestuesit.

Turma është shpërndarë nga policia pas 10 munitash përleshje të vazhdueshme. Protestuesit kanë goditur policinë me gurë dhe sende të fortam por më pas janë shpërndarë.

Në Kakome kanë mbërritur dhe efektiva policie nga Vlora, Tirana, Gjirokastra, Përmeti, Tepelena dhe rrethe të tjera të vendit.

Rinisin punimet

Fadroma e firmës ndërtuese “Guri i bardhë”, nga Ura Vajgurore, ka rinisur punën për ndërtimin e fshatit turistik në gjirin e Kakomesë. Aktualusht, kjo firmë po realizon zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës ekzistuese që të lidh Krerëzën me Kakomenë. Punimet po shoqërohen me ruajtjen e mjeteve dhe shoferëve të firmës ndërtuese nga forca të shumta policore.

Rruga mendohet të ndërtohet 10 metra e gjerë dhe do të mundësohet në të ardhmen, sipas burimeve pranë kësaj firme, shtrimin e saj me asfalto-beton dhe ndriçim në të dy krahët e saj. Pas përfundimit për rikonstruksionin e rrugës së lartëpërmendur mendohet të nisin punimet për ndërtimin e fshatit turistik në Kakome punime të kundërshtuara deri tani nga komuniteti i fshatit Nivicë.

Reagon Ylli Piro, kreu i degës së PD, Sarandë

Kakome, të zgjidhet në rrugë ligjore

Çështja e Kakomesë të zgjidhet në rrugë ligjore. Kjo deklaratë është bërë nga kryetari i degës së Partisë Demokraike për Sarandën, Ylli Piro, gjatë një konference për shtyp, ku ishin të pranishëm dhe drejtues të lartë të bashkisë Sarandë. Sipas Piros, në Kakome duhet të ndërtojnë vetëm pronarët legjitimë, që, sipas

Tij, janë banorët e fshatit Nivicë. “Ne jemi për zhvillimin e zonës bregdetare - vuri në dukje kreu i selisë blu në Sarandë - por duke zbatuar ligjet për kthimin dhe kompensimin e pronave.

Pronat e Kakomesë janë të nivicjotëve dhe të tyre do të ngelen.

Jemi të shqetësuar, pasi Kryeministri Fatos Nano, po gllabëron Sarandën ka rrethuar Lëkursin me tela me gjemba, duke përdorur për këtë qëllim, deputetët e tij. Po dëgjojmë, vazhdoi më tej Ylli Piro, se mafia shtetërore po përgatitet për të gllabëruar dhe Butrintin si dhe manastirin e 40 shenjtorëve.

Bamir Topi

Nuk ka justifikim për përdorimin e dhunës ndaj banorëve. E gjithë kjo bëhet për interesa të veçanta për njerëz në pushtet. Gjithçka duhej diskutuar me transparencë.

Sabit Brokaj

Në vend që të qetësoheshin gjërat, atje shkon policia bashkë me fadromat. Ky është një dështim i rëndë politik. I bëj thirrje Kuvendit të zgjidhë problemin, sepse Nano me qeverinë e tij krijon vetëm konflikte.

Fatmir Mediu

Qeveria nuk po zbaton ligjin e pronave. Duket se është e interesuar më shumë BE për problemin e pronave sesa Kuvendi apo qeveria. Situata në Kakome duhet të marrë fund menjëherë dhe forcat e policisë duhet të largohen që andej.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›