Përrenjas, lokomotivat çeke flenë në stacionin hekurudhor
Prej më shumë se një dekade, 32 lokomotiva dhe 10 vagonë pasagjerësh, vegjetojnë në stacionin hekurudhor të qytetit të Përrenjasit. Bëhet fjalë për lokomotiva dhe vagonë të prodhuar në çeki në vitet ’80, që qëndrojnë prej 14 vjetësh në gjendje konservimi në dy linjat hekurudhore rezervë të këtij stacioni. Sipas specialistëve, ato janë vendosur aty që prej vitit 1996 pas një urdhërese të Drejtorisë se Hekurudhave Shqiptare. Për to thuhet se: “Ruhen për konservim dhe shfrytëzim pjesësh”. Por një histori e tillë mund të ishte mbyllur 14 vjet më parë, kur një grup specialistësh çekë hyri në tratativa për blerjen e tyre me qeverinë shqiptare të asaj kohe. Burime të sigurta pohojnë se oferta e specialistëve çekë ndaj qeverisë sonë ka qenë me leverdi. çekët kanë ofruar blerjen e tyre me klering, ku në tri lokomotiva të vjetra dhe të nxjerra jashtë pune, ofronin në këmbim një të re të së njëjtës markë. Por oferta në fjalë është refuzuar nga ana e qeverisë sonë dhe çekët pas pesë netëve pritjeje në qytetin e Përrenjasit, janë larguar nga kanë ardhur. Që nga ajo kohë arsenali i lokomotivave dhe vagonëve qëndrojnë aty pa asnjë destinacion dhe funksion. I vetmi shfrytëzim nga specialistët shqiptarë të riparimit të lokomotivave dhe vagonëve për mallra ose pasagjerë, është bërë ndaj pjesëve motorike dhe xhenerike të lokomotivave. Për fat të mirë, ato nuk janë prekur pasi ruhen me gjashtë roje private me tri ndërresa në 24 orë.
#