Topalli kërkon në Libofshë votat për një mandat të dytë për PD-në
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në turin e saj me gratë për fitore, është ndalur në Libofshë të Fierit. Gjatë fjalës së saj, Topalli, duke bërë një bilanc të punës së qeverisë gjatë katër viteve në qeverisje, iu drejtua banorëve duke kërkuar votën për një mandat të dytë. Gjatë fjalës së saj Topalli sulmoi kreun e PS-së për abuzime me lejet e ndërtimit në krye të Bashkisë së Tiranës. “28 qershori do të përsërisë fitoren, atë fitore që të gjithë ne shqiptarët e besojmë që do të jetë prapë dhe prapë për arsye se Shqipëria po ndryshon. Nuk ka ndodhur asnjëherë, në asnjë qeveri, që rrogat të dyfishohen brenda 4 viteve. Nuk ka ndodhur në asnjë qeveri që buxheti i shtetit të rritet 2 herë, të ardhurat të rriten 2 herë, nuk ka ndodhur kurrë të përgjysmohen taksat dhe të ardhurat të shtohen dhe të arrijnë në një shumë që shkon 1,3 trilionë lekë, dyfishi i asaj që janë mbledhur në 8 vitet e mëparshme. Ajo që unë pyes veten çdo ditë është se çfarë kanë bërë ata në 8 vjet? Qeveria nuk është për të marrë leje ndërtimi, nuk është pushteti për të rregulluar anëtarët e kryesisë. Prandaj them se janë dy botë krejt të kundërta”, - është shprehur Topalli.
22 Maj 2009