E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Tiranes i kunderpergjigjet Avokatit te Popullit

Policia e Tiranës i është kundërpërgjigjur akuzave të ardhura nga Avokati i Popullit. Gjatë një deklarate për shtyp, përfaqësuesi i Avokatit të Popullit akuzoi Policinë e Tiranës se ka kryer vepër penale duke iu hequr grevistëve ilaçet dhe lëngjet. Nisur nga kjo deklaratë Policia sqaroi se nuk e ka kryer një veprim të tillë. 

“Që në ditën e parë kemi marrë masa për të mundësuar grevën dhe mbarëvajtjen pas tentativave për vetëdjegie rritëm masat për të siguruar jetën e grevistëve, dhe të mos lejonin kryerjen e akteve të tilla. Shprehim keqardhjen për deklaratat e Avokatit të Popullit, grevistëve nuk i janë ndërprerë as ilaçet dhe as lëngjet”, sqarohet në deklaratën e Policisë së Tiranës.  

Sipas policisë, Avokati i Popullit nuk duhet të manipulohet nga kjo grevë politike. “I bëjme apel Institucionit të Avokatit të Popullit, si një institucion i pavarur në kuptim të kushtetutës, të respektojë integritetin e tij dhe të mos bjerë pre e manipuluesve të kësaj greve të paligjshme dhe të kërkojë ndjesë publike për akuzat e rënda dhe të pavërteta të ushtrimit të torturës apo keq-trajtimit të grevisëtëve nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit. Gjithashtu, i bëjmë thirrje Avokatit të Popullit, të heqë dorë nga roli i furnitorit me ushqime të individëve që kanë hyrë në një grevë, të pretenduar si grevë urie”, thuhet në deklaratë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›