E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullorja e re, si përfitohen lejet e veçanta dhe shpërblyese për të dënuarit



Një interes të veçantë për të dënuarit në burgje paraqesin lejet për të qenë pranë familjeve. Ndaj dhe, një pikë mjaft e rëndësishme e rregullores së re të burgjeve është edhe neni ku flitet për lejet e të dënuarve, kushtet për përfitimin e tyre dhe llojet e lejeve. Të dënuarit duhet të kenë të qarta të drejtat dhe detyrimet e tyre për përfitimin e lejeve. Kërkesa e të dënuarit për leje shpërblyese apo e të burgosurve për leje të veçantë, i drejtohet drejtorit të burgut, i cili e regjistron atë në një regjistër të veçantë të krijuar për këtë qëllim. Miratimi apo refuzimi i kërkesave për leje shpërblyese apo të veçanta nga drejtori i burgut duhet të jepet në respekt të të drejtave ligjore të të burgosurve, të parimit të barazisë midis të burgosurve që plotësojnë kushtet dhe detyrimet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, të parimit të proporcionalitetit midis vendimit të refuzimit të lejes shpërblyese apo të veçantë, si dhe arsyes në të cilën është mbështetur vendimi i refuzimit.

Lejet shpërblyese në burgjet dhe seksionet e sigurisë së ulët dhe të zakonshme

Për seksionin e sigurisë së zakonshme dhe të ulët, drejtori i burgut është personi përgjegjës për shqyrtimin e kërkesës së të dënuarit për leje shpërblyese sipas një procedure të përcaktuar me ligj. Pas marrjes së kërkesës nga i dënuari, drejtori i burgut urdhëron brenda ditës së paraqitjes së kërkesës, Përgjegjësin e Sektorit Ligjor, Përgjegjësin e Sektorit të Sigurisë dhe Përgjegjësin e Kujdesit Social, mbi verifikimin dhe përgatitjen e dokumentacionit lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për miratimin e lejeve shpërblyese. Përgjegjësi i Sektorit Ligjor përgatit brenda një afati 1-ditor nga dita e marrjes së urdhrit, raportin, i cili shpjegon dhe dokumenton se kushti lidhur me kohëzgjatjen e vuajtjes së dënimit është plotësuar ose jo, ditët e lejeve shpërblyese që i dënuari ka përfituar që nga fillimi i vitit, si dhe propozimin e argumentuar të dhënies ose jo të lejes shpërblyese dhe të ditëve që i dënuari duhet të marrë si leje shpërblyese. Gjithashtu, përgjegjësi i Sektorit të Sigurisë dhe Përgjegjësi i Kujdesit Social, përgatisin brenda një afati 1-ditor nga dita e marrjes së urdhrit, raportin e përbashkët, i cili shpjegon dhe dokumenton se kushti lidhur me respektimin e kësaj rregullore dhe rregullores së brendshme të burgut nga i dënuari, sjelljen e të dënuarit, rrezikshmërinë e tij, interesin që paraqet për rehabilitimin e të dënuarit, sjelljen e të dënuarve lidhur me punonjësit e burgut dhe të dënuarit e tjerë, ndjenjën e përgjegjësisë, pjesëmarrjen e tij në aktivitete arsimore, kulturore, të punës e sportive të organizuara nga burgu, besueshmërinë që paraqet i dënuari lidhur me qëndrimin e tij jashtë burgut, si dhe propozimin e miratimit apo refuzimit të lejes shpërblyese dhe të ditëve që i dënuari duhet të marrë si leje shpërblyese. Po sipas rregullores së burgjeve, raportet, propozimet dhe dokumentacioni i paraqiten brenda një afati 1-ditor drejtorit të burgut, i cili e shqyrton dhe jep miratimin apo refuzimin e motivuar. Leja shpërblyese mund të miratohet nga drejtori i burgut, vetëm pasi të ketë marrë të paktën dy mendime në favor të miratimit të saj nga Përgjegjësi i Sektorit Ligjor, Përgjegjësi i Sektorit të Sigurisë dhe Përgjegjësi i Kujdesit Social. Por, bazuar në rregullore, leja shpërblyese nuk mund të jepet më shumë se 10 ditë dhe në total nuk mund të jetë për më shumë se 20 ditë në vit. Për të dënuarit e mitur kohëzgjatja e lejeve shpërblyese nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë për çdo rast dhe në total nuk mund të jetë më shumë se 45 ditë në vit. Në çdo rast, nga miratimi i lejes shpërblyese të fundit duhet të kenë kaluar të paktën 3 muaj. Drejtori i burgut i dërgon Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe Ministrit të Drejtësisë, brenda 24 orëve nga miratimi i lejes shpërblyese njoftimin për dhënien e lejes shpërblyese dhe brenda 5 ditëve, të gjithë dokumentacionin që ka shërbyer për të miratuar lejen shpërblyese.

Lejet shpërblyese në burgjet dhe seksionet e sigurisë së lartë

Lejet shpërblyese në burgjet apo seksionet e sigurisë së lartë jepen vetëm me urdhër të Ministrit të Drejtësisë, apo me autorizimin e tij nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Ministri i Drejtësisë me marrjen e kërkesës nga i dënuari i kërkon drejtorit të burgut përkatës, të përgatisë brenda një afati 7-ditor të gjithë dokumentacionin e parashikuar në nenin 68, të kësaj rregulloreje, si dhe mendimin e tij lidhur me miratimin apo refuzimin e lejes shpërblyese. Në rast refuzimi, i dënuari mund të ankohet në gjykatë, e cila vendos për kërkesën për dhënien e lejes shpërblyese.

Lejet e veçanta

Drejtori i burgut është personi përgjegjës për shqyrtimin e kërkesës së të burgosurit për leje të veçanta sipas procedurës së caktuar në rregullore. Kërkesa e të burgosurit duhet të jetë e argumentuar dhe e shoqëruar nga dokumentacioni përkatës. Në raste të sëmundjeve të rënda, të cilat rrezikojnë jetën e anëtarëve të familjes së të burgosurit, kërkesa duhet të shoqërohet me raportin mjekësor të familjarit të sëmurë, ku vërtetohet gjendja e rëndë shëndetësore e tij. Në rastet e ngjarjeve të rëndësishme familjare si vdekje, lindje apo martesa, kërkesa duhet të shoqërohet me dokumentin zyrtar që provon vdekjen, lindjen apo martesën. Pas marrjes së kërkesës së argumentuar nga i burgosuri, drejtori i burgut urdhëron brenda ditës së marrjes së kërkesës Përgjegjësin e Sektorit Ligjor, Përgjegjësin e Sektorit të Sigurisë dhe Përgjegjësin e Sektorit të Kujdesit Social, për shqyrtimin dhe përgatitjen e dokumentacionit që do të shërbejë si bazë e miratimit apo refuzimit të lejes së veçantë. Përgjegjësi i Sektorit Ligjor, Përgjegjësi i Sektorit të Sigurisë dhe Përgjegjësi i Sektorit të Kujdesit Social, përgatisin brenda një afati 1 ditor nga dita e marrjes së urdhrit, raportin e përbashkët i cili shpjegon dhe dokumenton se i burgosuri ka lidhje familjare të ngushtë me personin e sëmurë rëndë, të vdekur, të lindur ose të martuar, ekzistencën e dokumentacionit që vërteton rastin ligjor, kohëzgjatjen e vuajtjes së dënimit, lejet e kryera më parë, respektimin e kësaj rregullore dhe rregullores së brendshme të IEVP nga i burgosuri, rrezikshmërinë e tij, besueshmërinë që paraqet i burgosuri lidhur me qëndrimin e tij jashtë institucionit, si dhe propozimin e argumentuar të miratimit apo refuzimit të lejes së veçantë dhe të ditëve që i burgosuri duhet të marrë si leje të veçantë. Raporti, propozimi dhe dokumentacioni i paraqiten brenda 1 dite drejtorit të IEVP, i cili e shqyrton dhe jep miratimin apo refuzimin e motivuar. Leja e veçantë mund të miratohet nga drejtori i IEVP, vetëm pasi të ketë marrë të paktën dy mendime në favor të miratimit të saj nga Përgjegjësi i Sektorit Ligjor, Përgjegjësi i Sektorit të Sigurisë dhe Përgjegjësi i Kujdesit Social. Leja e veçantë me kohëzgjatje deri në 12 (dymbëdhjetë) orë, për të burgosurit, bëhet me shoqërim. Drejtori që jep lejen, duhet të përcaktojë mënyrën, kushtet, mjetet e shoqërimit të burgosurit, me forca të Policisë së Burgjeve dhe numrin e tyre. Leja e veçantë mund të jepet deri në 7 ditë dhe mund të zgjatet me miratimin e drejtorit të IEVP, vetëm për rastet e sëmundjeve të rënda, pasi i burgosuri të ketë plotësuar kërkesat e shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni, lidhur me rastin e sëmundjeve të rënda. Kohëzgjatja e lejes së veçantë nuk mund të jetë më shumë se 30 ditë.

Kujt i jepet leje shpërblyese

a) personave të dënuar 3 vjet burg, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/4 e dënimit;

b) personave të dënuar nga 3 deri në 10 vjet burg, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/2 e dënimit;

c) personave të dënuar mbi 10 vjet burg, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 2/3 e dënimit

Shpërblim, ulja e dënimit

Të dënuarit që zbatojnë rregullat dhe kanë një pjesëmarrje shembullore në veprimtaritë trajtuese, duke dhënë prova për riintegrim në shoqëri, mund të përfitojnë një ose disa ulje, deri 90 ditë në çdo vit të vuajtjes së dënimit. Në burgjet e sigurisë së lartë ulja e dënimit bëhet deri 45 ditë në vit. Për dhënien e këtij shpërblimi të veçantë, vlerësohet qëndrimi i të dënuarit nga ulja e mëparshme ose gjatë 12 muajve të fundit. Ulja e dënimit bëhet me vendim të gjykatës, në bazë të kërkesës së të dënuarit apo përfaqësuesit të tij, ose të drejtorit të institucionit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›