Zihen për rrugën, plagoset me çifte 20-vjeçari
Një i ri 20-vjeçar është plagosur me çifte pas një konflikti banal në Tiranë. Ngjarja ndodhi në mesditën e djeshme në lagjen Tirana e Re në kryeqytet. Sipas burimeve nga policia, viktima është Genc Bollozhani. Ndërkohë që uniformat blu vunë në pranga autorin e ngjarjes, 54-vjeçarin Fatmir Shabani. Ndaj të plagosurit u dha ndihma e parë, duke e dërguar atë në spital, ku ai iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale. Ndërkohë që uniformat blu shoqëruan në komisariat 54-vjeçarin, për ta pyetur në lidhje me ngjarjen.
Ngjarja
Rreth orës 13:00, 54-vjeçari Fatmir Shabani dhe Genc Bollozhani kanë nisur të grinden midis tyre. Shkak i përplasjes ishte rruga përballë shtëpive të tyre, e cila ishte e zënë. Të dy banonin në një rrugicë në rrugën “Komuna e Parisit”. Dëshmitarët tregojnë se në fillim 20-vjeçari me komshiun e tij kanë nisur të debatojnë me njëri-tjetrin. Më pas, gjakrat janë nxehur dhe midis të dy komshinjve ka nisur konfrontimi fizik. 54-vjeçari është futur më pas në shtëpi. Ai ka dalë pak sekonda më vonë duke mbajtur në dorë një çifte që e kishte në banesë. E ka drejtuar armën ndaj 20-vjeçarit dhe e ka shkrepur atë. Saçmat e prekën Bollozhanin në trup, duke e rrëzuar në tokë të mbuluar nga gjaku. Ndaj tij u dha menjëherë ndihma e parë duke e dërguar në Spitalin Ushtarak, ku ai iu nënshtrua ndërhyrjes mjekësore.
Policia
Pas marrjes së njoftimit se në lagjen “Tiranë e re” të kryeqytetit kishte ndodhur një plagosje, menjëherë në vendngjarje shkuan forcat e komisariatit numër 2 dhe ekspertët e Seksionit Kundër Krimeve të Jetës dhe Shëndetit. Policia vuri në pranga autorin e plagosjes. Ndërkohë që u ngrit një grup pune për të hetuar në lidhje me këtë ngjarje. U krye këqyrja e vendit të ngjarjes, si dhe u morën në pyetje dëshmitarët. I arrestuari u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit.