Policia e Tiranës, në gadishmëri pas zgjedhjeve

Policia e Tiranës vijon të jetë në gadishmëri dhe me një shërbim të përforcuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike pas periudhës zgjedhore.
Ndërkaq, puna e strukturave të policisë së shtetit është përqendruar në drejtim të garantimit të rendit e sigurisë publike pranë dhe përreth vendeve të numërimit të votave, proces i cili ka filluar nga ora 18.00 e ditës së zgjedhjeve dhe do të vazhdojë deri në momentin e nxjerrjes së tabelave të rezultatit nga KZAZ-ve.
Aktualisht nga shërbimet e policisë së shtetit vazhdon sigurimi i 20 vendeve të numërimit të votave në shkallë vendi, nga të cilat 12 ndodhen në Tiranë dhe 8 në bashki të tjera të vendit, përkatësisht: në Çorovodë, Burrel, Shijak, Tepelenë, Përmet, Laç, Pukë dhe Koplik.
Deri në këto momente nga shërbimet e policisë është realizuar shoqërimi i materialeve zgjedhore nga vendi i numërimit të votave për në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për 46 KZAZ në shkallë vendi, të cilat kanë përfunduar procesin e numërimit të votave.