E Hënë, 2 Nëntor 2026

Policia e shtetit shoqëron 6 policë bashkiakë

18/05/2005  Përplasja te ish-Blloku. Sherri për makinat gjobat dhe sekuestrot

TIRANË- Policia e Shtetit i "mëson" ligjin policisë bashkiake të Tiranës. Ish-Blloku është bërë mollë sherri për përleshjen e ditës së djeshme mes forcave policore. Dueli i ashpër ka përfunduar me shoqërimin e gjashtë policëve bashkiakë, që kanë kundërshtuar ashpër vendimin e rendit, që kishin si kompetencë veprimet ligjore në këtë territor. Ndonëse policët bashkiakë kanë pasur dhe përkrahjen e kryetarit Rama, të ndodhur në vendin e ngjarjes, ngjarja ka pasur fund të tensionuar. Përballë lokal "Tajvanit", kokëfortësia e pamotivuar në ligj, u ka kushtuar shoqërimin në furgon 6 prej policëve të Bashkisë së kryeqytetit. Lajmi nuk konfirmohet zyrtarisht nga burimet policore të Tiranës dhe të komisariatit përkatës. Burime policore thanë se për disa minuta uniformat e bashkisë janë mbajtur nën statusin e të shoqëruarve në furgonin te policisë së Rendit, ndërsa për shkak të një përplasjeje të rëndë institucionale. Të heshtur drejtuesit e institucioneve kërkojnë që gjithçka ta lënë në duart e zyrtarëve të informacionit. Lëvizja me makina në Bllok, bllokimi i mjeteve, vënia e gjobave që nisin nga 50 mijë lekë të vjetra, kanë qenë shkak i zënkës së rëndë të ditës së djeshme. Bashkiakët, të ndodhur përballë vendosmërisë së policisë së rendit, janë tërhequr, duke u bërë kandidatë për pranga. Qarkullimi në ishullin e ndaluar të rojtarëve të pushtetit lokal është marrë nën mbikqyrje nga kolegët e pushtetit qëndror që kanë qenë dhe "fituesit" e betejës.

Konflikti

Shkak i kësaj përplasjeje shërbyen 200 denoncimet e qytetarëve për bllokimin e kalimit në bllok dhe bllokazhot e pafundme që vihen kudo ku ka makina. Burime nga polica, thanë dje për gazetën "Metropol", se tashmë u janë marrë të gjitha kompetencat për vendosjen e orareve dhe të limiteve të qarkullimit të mjeteve, sidomos në zonën më të frekuentuar të kryeqytetit. Akumulimi i të gjitha ankesave të qytetarëve, ka shërbyer si motiv që furgonët e Policisë së Rendit të ndërhyjnë në normalizimin e situatës, duke hequr bllokuesit e rrugës në zonën e bllokut. Ndërkaq, ky veprim bie ndesh me urdhërin e nxjerrë disa ditë me parë nga kryebashkiaku, Edi Rama sipas së cilit ndalohet qarkullimi i automjeteve në Bllok nga ora 18:00- 23:00. Ky urdhër ka rënë dje i pavlefshëm, pas përplasjes së skuadrave të policisë.

Ndalimi

Kjo rregullore, sipas Policisë Bashkiake do të zbatohet deri në datën 15 shtator. Bashkia e kryeqytetit pretendon se Policia e Shtetit po shkel kompetenca që nuk i përkasin, ndërkohë që forcat e rendit e justifikojnë veprimin e ndërmarrë me ankesat e shumta të ardhura nga qytetarët, por dhe më ligjin që u jep të drejtë të ndërhyjnë në të gjithë territorin, që ata e kanë në varësi, për të tilla raste. Në momentin e konfrontimit në vendgjarje ndodhej dhe kreu i bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama, i cili i u ka dhënë mbështetjen e tij forcave bashkiake. Për momentin kjo zonë është hapur për automjetet të cilat po qarkullojnë lirisht, ndërsa pritet që ditën e sotme të ndërmerren veprime të tjera, të cilat do të kryhen në bashkëpunim mes dy policive. Ende nuk është dhënë ndonjë shpjegim zyrtar nga të dyja palët, ndërsa zyrtarët e Policisë Rrugore thanë se nuk kanë marrë urdhëra të fundit për qarkullimin në kryeqytet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›