Trafikoi në Greqi 6 fëmijët e një familje, merret masa në mungesë
18/05/2005 TIRANË – Nasyri Rrapaj lindur në Tepelenë dhe banues në Patos të Fierit, i vitlindjes 1959, që nga gushti i vitit 2004 është person i shpallur në kërkim nga policia e vendit. Akuza ndaj tij është tepër e rëndë. Ka shfrytëzuar në rrugët e Athinës për vite me radhë 6 fëmijët e së njëjtës familje nga Patosi, vendi i tij i banimit. Ndonëse kallëzimi për të është bërë në Greqi, atje ku ka qenë edhe vendi i kryerjes së veprës penale, i pandehuri nuk dihet se ku e ka vendndodhjen aktuale. Në gusht të vitit të kaluar ka mësuar faktin se ndiqet penalisht pas kallëzimit që prindërit e 6 fëmijëve të shfrytëzuar për qëllime fitimi, bënë ndaj tij. Deri në këtë periudhë, familja e shfrytëzuar nga Patosi ka qenë nën diktat. Dhuna psikologjike dhe fizike nuk i kanë lejuar të ngrenë kokë. Janë mbajtur të mbyllur dhe nën mbikëqyrje. Ndërkohë pas mbërritjes së dokumenteve në rrugë zyrtare nga autoritetet e shtetit grek, dje Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e arrestit në mungesë për të. Akuza mbi të pandehurin është ajo e trafikut të fëmijëve për qëllime përfitimi. Për disa vite me radhë, i pandehuri Rrapaj ka përdorur për qëllime fitimi në Greqi 6 fëmijet e së njëjtës familje nga Patosi. Sipas Prokurorisë, i pandehuri disa vite me parë ka tërhequr në Greqi familjen e dëmtuar. Pasi e ka siguruar se do ta ndihmonte, Rrapaj e ka sistemuar në një dhomë të veçantë. Mësohet nga akuza se fëmijët, që të gjithë dilnin në rrugë për të kërkuar lëmoshë në forma të ndryshme. Kështu, i pandehuri fillimisht i nxirrte për të shitur kartpeceta për duart dhe në këtë mënyrë ata duhet të kërkonin edhe lëmoshë. Nga ana tjetër bëhet e ditur se, Rrapaj ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike si ndaj fëmijëve, ashtu edhe ndaj prindërve të tyre. Kjo dhunë e vazhdueshme mundi të ndërpritej vetëm në gusht të vitit të kaluar. Njëri prej prindërve të fëmijëve që përdoreshin si lypsa në rrugët e Athinës, arrin të shkëputet nga sytë e të kërkuarit Nasyri Rrapaj dhe të drejtohet në polici. Që nga ai moment, i pandehuri që dje mori masën e arrestit burg pa afat në mungesë, u shpall person në kërkim. Në kërkesën e prokurorit, paraqitur në Gjykatën e Krimeve të Rënda, thuhej se i pandehuri është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pasi për vite me radhë, në mënyrë të vazhdueshme ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike mbi 6 fëmijët e së njëjtës familje dhe prindërve të tyre, që mbaheshin nën kontroll të vazhdueshëm. Raste të tilla janë të shumta. Në Gjykatën e Krimeve të Rënda u dënuan dy vëllezër nga Elbasani, të cilët përdorën të njëjtën mënyrë shfrytëzimi për dy fëmijë, të cilët erdhën dhe treguan me hollësi gjithë punën që bënë në Greqi për llogari të tutorëve.