E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimi i kolaudimit, pritet rritje e tarifave

Tarifat për kolaudimin e automjeteve priten të rriten për shkak të privatizimit të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve me motor. Rritja e tarifave të shërbimit do të sjellë përmirësim të kushteve të punës dhe cilësi më të lartë. Ministria e Transporteve ka hapur dje tenderin ndërkombëtar për të dhënë me koncesion Drejtorinë e Shërbimit të Kontrollit Teknik. Në tender paraqitën ofertat dy kompani nga tre që ishin në fillim, nga ku u mësuan edhe ofertat e tyre, në bazë të së cilës doli se tarifat e shërbimit mund të rriten me 700 ose 600 lekë më shumë. Kështu, kompania franceze "Sas Sakar", si dhe ajo zvicerane SGS, paraqitën ofertat e tyre për marrjen me koncesion të shërbimit të kontrollit të detyrueshëm teknik të automjeteve, ndërkohë që kompania e tretë, ajo gjermane "TUV Sud" nuk u paraqit. Sipas të dhënave, kompania SGS ka kërkuar marrjen dhjetë vjet me koncesion të këtij shërbimi, ndërsa vlera e investimit është 561 milionë lekë. Në ofertën e saj, kjo kompani parashikon gjithashtu një tarifë prej 1.998 lekësh për kontroll, ngritjen e një qendre të re, si dhe tri qendrave të lëvizshme. Kompania tjetër, "Sas Sakar", në ofertën e saj kërkon marrjen me koncesion për 20 vjet të këtij shërbimi dhe parashikon një investim prej rreth 399 milionë lekësh. Në ofertë, kompania franceze parashikon një tarifë prej 1800 lekësh për kontroll, ngritjen e katër qendrave të reja si dhe dy qendrave të lëvizshme. Tarifa e kontrollit të automjetit (kolaudimi) është 1200 lekë, ndërsa pas privatizimit mund të arrijë 1800 ose 1900 lekë. Megjithatë, çdo gjë do të varet nga negociatat mes ministrisë dhe firmës fituese.

Procedura e gjithë tenderit zgjati dy orë, ndërsa rezultati final pritet të merret brenda 30 muajsh, sikurse e parashikon ligji "Për prokurimet". Sa i takon kompanisë gjermane, "TUV Sud", e parakualifikuar që në gusht, mbi 90 ditë pasi kishte tërhequr dokumentacionin standard të tenderit, dhe një javë para afatit final për hapjen e ofertave, kërkoi zyrtarisht ndryshimin e kritereve të përzgjedhjes në pikët e vlerësimit. "Një kërkesë e tillë bie në kundërshtim me legjislacionin shqiptar në fushën e koncesioneve dhe me parimet e ushtrimit të veprimtarisë së administratës publike, e cila në përzgjedhje të kritereve për shpallje fitues, mban përgjegjësinë ligjore t‘i përcaktojë ato në bazë të interesit publik", u shpreh dje zyrtarisht ministria. Megjithatë me gjithë verifikimet e kryera, nuk rezultoi asnjë ofertë e dorëzuar nga përfaqësues të kësaj shoqërie në protokollin e ministrisë dhe për më tepër dhe vetë përfaqësuesi u paraqit në proces pas orarit, pa ofertë. Ofertat e dorëzuara do të vlerësohen bazuar në kritere si: tarifa e shërbimit, vlera dhe koha e kryerjes së investimit gjithsej, numri i qendrave të reja të ngritura përfshi dhe qendra të lëvizshme, kohëzgjatja e koncesionit dhe vlera e tarifës koncesionare, që do të derdhet në buxhetin e shtetit. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të përfundojë vlerësimin e ofertave të paraqitura brenda datës 18 janar 2009.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›