Policia kërkon shoqërimin me forcë të kompozitorit

Kompozitori Ardian Hila është thirrur nga Policia e Tiranës për të dhënë dëshmi lidhur me videot me përmbajtje intime, të filmuara prej tij dhe të shpërndara më pas në internet nga persona ende të paidentifikuar.
Sipas raportimeve, Hila është telefonuar mbrëmjen e djeshme nga një hetues i njësisë “C” në Policinë e Tiranës, për t’u paraqitur në Drejtorinë Vendore të Policisë në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen.
Gjatë komunikimit telefonik, kompozitori ka deklaruar se ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike për shkak të situatës dhe se nuk ishte në gjendje të paraqitej në polici. Ai ka pretenduar se kamera e tij ishte hakuar nga persona që nuk i njihte.
Në vijim, sipas raportimeve, një patrullë policie është dërguar në banesën e tij në Tiranë me qëllim shoqërimin e tij, por efektivët nuk kanë gjetur asnjë person në adresën e dhënë.
Ndërkohë, Policia e Tiranës ka nisur hetimet kryesisht për katër vepra penale lidhur me publikimin dhe shpërndarjen e materialeve intime. Rrethanat e ngjarjes, mënyra se si janë siguruar videot dhe identiteti i personave që i kanë publikuar mbeten objekt hetimi.
Deri në përfundimin e hetimeve, përgjegjësia për publikimin e materialeve dhe përfshirja e personave të dyshuar duhet të përcaktohen nga organet kompetente.a.b