Policia kosovare ndalon ministrin serb Bogdanovic
PRISHTINE-Policia e Kosovës ka ndaluar në Shtërpcë ministrin e Qeverisë së Serbisë, Goran Bogdanovic, kanë bërë të ditur për mediat Kosovare burime të larta nga polica. Arrestimi i të ashtuquajturit ministër për Kosovë dhe Metohi në Qeverinë e Beogradit është bërë në një fshat të komunës së Shtërpcës, teksa ai po zhvillonte aktivitete politike, pa marrë leje paraprake nga autoritetet e Prishtinës. Ky fakt ka qenë i mjaftueshëm për Policinë e Kosovës që ta arrestojnë ministrin serb. Bogdanovic rreth mesditës po transportohet në drejtim të pikës kufitare të Merdarit, ku do t’u dorëzohet autoriteteve serbe. Burimi nga Policia e Kosovës saktësoi për të përditshmen e Kosovës, Express se Bogdanovic kishte hyrë në territorin e Kosovë para tre ditësh, në mënyrë private, pasi ai është banor i Kosovës. Kolona e automjeteve, në të cilën ndodhej edhe Bogdanovici, është ndaluar rrugës për në Shtërpcë, pas vizitës që zyrtarët e Beogradit i kishin bërë fshatit Sevce. Mediat serbe raportojnë se në rrugë kishin dalë forca të shumta të policisë, të udhëhequra nga njësitet speciale ROSU. Sipas B92, ministri Bogdanovic ka kërkuar vendimin me shkrim të Qeverisë së Kosovës, që ia ndalonte atij vizitën. Por komandanti rajonal i policisë ka thënë se kanë vetëm urdhër verbal nga lart se ai duhet te largohet nga Kosova. Pas një debati të shkurtër, Bogdanovic thuhet se është përcjellë nga njësitet speciale në drejtim të Merdarit, megjithëse ministri serb kishte kërkuar që të lejohet të shkojë në veri të Mitrovicës. Bogdanovici citohet të ketë thënë se kjo është një masë e përkohshme e pamenduar nga Qeveria e Kosovës, pasi ai është banor i Kosovës dhe si i tillë ka të drejtë, pavarësisht, nga funksioni i tij ministror, të lëvizë nga Kosova. "Ky është një shembull se në Kosovë nuk ka liri të lëvizjes dhe se serbët lokalë që jetojnë në Kosovë, kështu si edhe mua, na mohohet e drejta themelore njerëzore e lirisë së lëvizjes", është shprehur ministri serb. (d.b/BalkanWeb)