Policia mban distancë me Lazaratin
Vetëm në dy muajt e parë të vitit 2010, Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar rreth 1 ton marijuanë me “origjinë” nga Lazarati. Zyrtarët e policisë në qytetin e gurtë e trajtojnë këtë të dhënë statistikore si tregues të suksesit në luftën kundër prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Por, edhe pse thuajse e gjithë droga e kapur në jug të Shqipërisë, madje edhe përtej kufirit, është prodhuar në Lazarat, policia nuk ka kryer prej më shumë se një viti as edhe një operacion të vetëm në territorin e fshatit të famshëm të drogës.
Plani i masaveDrejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka udhëzuar ditët e fundit drejtoritë në qarqe të vënë në zbatim plane masash për parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike. Edhe Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës ka hartuar dhe ka nisur të zbatojë planin e saj për këtë qëllim. Por në këtë plan nuk parashikohet asnjë kontroll në Lazarat, megjithëse ai përqendrohet te parandalimi i kultivimit të kanabisit në këtë fshat.
Javën e shkuar, Policia e Gjirokastrës bllokoi gjashtë kamionë me pleh organik. Zëdhënësi Gentian Mullai pretendon se nga informacionet e marra në “rrugë operative” nga specialistët e antidrogës, ky pleh do të “përdorej për të kultivuar kanabis”.
Por kamionët u ndaluan në Tepelenë, shumë larg zonave të njohura për kultivim bimësh narkotike dhe nuk u gjet asnjë provë që të vërtetonte se plehu do të përdorej për punë të paligjshme, për më tepër që në këtë sezon nuk bëhet vetëm mbjellja e kanabisit, por është kulmi i punës për gjithë fermerët.
HistoriaVerën që shkoi, përveç kamionëve me pleh, policia nisi gjuetinë e autoboteve që çonin ujë në Lazarat. Policia kishte informacion se uji çohej në fshat për të vaditur kanabisin dhe informacioni duhet të ketë qenë i saktë përderisa Lazarati pati edhe në vitin 2009 prodhim të bollshëm marijuane. Por në asnjë rast, asnjë person nuk u vu në pranga për kultivim bimësh narkotike apo dhënie ndihme për kultivimin e bimëve narkotike. Të gjitha makinat që u bllokuan kishin mangësi në dokumentacion, asgjë më tepër.
Prania e policisë në Lazarat kufizohet vetëm tek ekzistenca e një postblloku në vendin ku rruga për në fshat ndahet nga rruga nacionale. Përtej kësaj vije imagjinare, asnjë polic nuk ka mundur të kalojë prej vitesh, përveç rasteve së disa operacioneve speciale që kanë pasur për qëllim kapjen e personave të kërkuar.
Masat që ka marrë deri tani Policia e Gjirokastrës tregojnë se vija nuk do të kalohet dhe lazaratasit nuk do të shqetësohen të paktën deri në fillim të vitit tjetër, kur të kenë përfunduar edhe zgjedhjet lokale.
#