Stuhia dhe i ftohti shkatërrojnë linjat elektrike
Qyteti i Përmetit dhe një pjesë e qytetit të Gjirokastrës për 24 orë kanë mbetur pa energji elektrike. Ndërkaq që mësohet se edhe Komuna Kurvelesh është pa drita. Shkak për shkëputjet në furnizim janë bërë defektet nga shkarkimet e rrufeve, të cilat kanë dëmtuar linjën e tensionit të lartë që shtrihet përgjatë hapësirës nga qyteti i Memaliajt për në qytetin e Përmetit dhe kanë djegur kokat e kabllos përcjellëse të tensionit të lartë në afërsi të Universitetit të Gjirokastrës. Ndërkaq, në Qarkun e Kukësit 13 fshatra prej tri ditësh janë zhytur në terr. Kështu, komunat Malzi dhe Surroj, si dhe disa fshatra të Komunës Grykë çajë janë pa energji elektrike. Burime të Prefekturës së Kukësit tregojnë se për shkak të motit të ftohtë me dëborë dhe akull ka pësuar defekt fidri kryesor i zonës në nënstacionin e Kalimashit. Grupet e specialistëve të elektrikut kanë evidencuar avarinë dhe po punojnë për riparimin sa më të shpejtë të linjës, ndërkohë që moti i ftohtë dhe me stuhi vështirëson punën në terren.
#