E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia merr në mbrojtje një gjyqtar të Krimeve të Rënda



Tiranë - Policia e Shtetit merr në mbrojtje një gjyqtar të Krimeve të Rënda. Lajmi konfirmohet nga burime të Policisë së Shtetit, të cilat pohojnë se gjyqtari dhe familja e tij janë marrë në mbrojtje prej disa ditësh, pas ankesave për kërcënim. Të njëjtat burime shprehen se për arsye sigurie nuk bëhet i ditur emri i gjyqtarit ndërsa mësohet se ai gjykon çështje të rëndësishme, që përfshijnë banda kriminale dhe trafikante. Ndërkaq masa mbrojtëse janë marrë për të gjithë gjyqtarët dhe të afërmit e tyre. Prej një jave mësohet se janë rritur masat e sigurisë në mjediset e Gjykatës së krimeve të rënda, ndërsa janë vendosur roje edhe në banesat e gjyqtarëve. Masat janë marrë pas një urdhri nga Ministria e Brendshme për mbrojtjen e gjyqtarëve.
Burime zyrtare pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Krimeve të Rënda shpjeguan dje për gazetën “Albania” se i vetmi kërcënim që bërë ndaj gjyqtarëve të kësaj gjykate ka qenë ai i disa ditëve më parë. Sipas tyre një nga eksponentët e një prej bandave më të rrezikshme që po gjykohet në këtë gjykatë ka lëshuar deklarata kërcënuese në sallën e gjyqit drejt drejtuesit të kolegjit penal. Pikërisht për shkak të kësaj deklarate, drejtuesit e sigurisë kanë gjykuar se gjyqtari dhe familja e tij duhet të merret menjëherë në mbrojtje për të shmangur ndonjë incident të mundshëm. Mësohet se ndërkohë agjentët e policisë janë në gatishmëri të plotë duke përgjuar shumë telefona nëpërmjet të cilëve mund të kalojnë edhe urdhrat nga burgu për te njerëzit që kanë në liri. Gjyqtari që është në mbrojtje është paraqitur çdo ditë në gjykatë. Mirëpo rasti i tij mësohet se ka dhënë alarmin edhe te institucionet përgjegjëse të cilat duhet të rrisin menjëherë masat mbrojtëse për këtë kategori gjyqtarësh. Pikërisht për këto masa, Ministria e Drejtësisë ka drejt përfundimit projektligjin për masat e sigurisë që duhet t’i krijohen gjyqtarëve dhe familjarëve të tyre. Mësohet se nga ky rreth masash, janë përjashtuar vetëm gjyqtarët e shkallës së parë të cilët për nga numri përbëjnë edhe pjesën më të madhe të gjyqtarëve në vend.

L. Rryçi

12 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›