Politekniku, këtë vit akademik do të pranojë 1400 studentë
Universiteti Politeknik i Tiranës, do të pranojë për vitin e ri akademik 2009-2010, 1400 studentë të rinj. Kjo kuotë pranimesh është e njëjtë me atë të një viti më parë në këtë universitet. Rektori i Universitetit Politeknik, Jorgaq Kaçani, bën të ditur se kuotat e pranimeve nuk do të pësojnë rritje. “Kuotat janë të njëjta me ato që kanë qenë në vitin 2008-2009, ne pranojmë gjithsej rreth 1400 studentë këtë vit”, - shprehet kreu i Politeknikut. Të njëjtin fat me kuotat e pranimit do të kenë edhe tarifat e shkollimit në Universitetin Politeknik, pasi sipas Kaçanit tarifat e studimit nuk do të ndryshojnë. Ashtu sikurse vitin e kaluar, edhe për këtë vit, Arkitektura do të jetë dega që do të kushtojë më shtrenjtë, tarifa e së cilës shënon shifrën më të lartë të studimit në këtë universitet, atë të 30 mijë lekëve të reja. Por e reja e këtij viti, për Universitetin Politeknik, është fillimi i punimeve për ndërtimin e një kampusi universitar, i cili është pjesë e planit francez, që tashmë ka marrë miratimin e KRT-së së Tiranës. “Pa dyshim që do të filloj këtë vit, dhe kampusi shtrihet midis Sheratonit dhe Gardës së Republikës, kampus i cili është parashikuar dhe në planin rregullues të qytetit të Tiranës, planin francez që është miratuar edhe në KRT-në e Tiranës”,- përfundon Kaçani.
12 Qershor 2009