“Shqipëria superfuqi e vogël në rajon, për energjinë e rinovueshme”
Miratohet ndërtimi i linjës së interkonjeksionit midis Vlorës dhe Brindizit
Miratimi i linjës së interkonjeksionit midis Vlorës dhe Brinidisit, sipas Kryeministrit Sali Berisha, është një hap i rëndësishëm për projektin Shqipëria një superfuqi e vogël në rajon, për sa i përket energjisë së rinovueshme. Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, Kryeministri theksoi se, “ky vendim përben një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm në projektin tonë ambicioz të shndërrimit të Shqipërisë në një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon”. “Lidhjet nëpërmjet Adriatikut janë të rëndësishme. Tregu italian është një prej tregjeve më gllabëruese në Evropë. Ndaj qeveria është e vendosur të inkurajojë lidhjet nëndetare me këtë vend mik që në një të ardhme jo të largët, energjia e rinouvueshme të mund të eksportohet drejt Italisë”, tha Berisha. Sipas Kryeministrit, kërkesat janë të shumta. “Kjo shkon plotësisht dhe me filozofinë tonë të liberalizimit të tregut energjetik në Shqipëri. Këtë vit filloi tenderimi për punë publike dhe aparatura të Kaskadës së Devollit. Është në treg Kaskada më e madhe ekzistuese e Vjosës. Priten zhvillime shumë të rëndësishme për Skavicën, që ka një projekt universal, por po bëjmë gjithçka që të mbetet e vetmja nga sektori publik. Por natyrisht që procesi i privatizimit do jetë i pandalshëm”, theksoi Kryeministri Berisha. Gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri përshëndeti testin e bërë nga Banka Botërore për sistemin e prokurimeve publike, duke vlerësuar sistemin shqiptar. “Jemi të bindur se sistemi ynë garanton transparencën më maksimale dhe është sistemi që në tërësi ka funksionuar. Banka ka marrë parasysh insistimin tonë dhe prova në Komunën e Farkës për një punim publik, me anë të një tenderi ku morën pjesë 14 kompani rezultoi një test i shkëlqyer”, u shpreh Kryeministri. “Jemi të gatshëm të adaptojmë dhe përdorim standardet më të mira, për ndërkohë që standardet tona, për sa i përket transparencës janë ndër më të lartat që ekzistojnë. BB dha shembullin e shkëlqyer se sa më i hapur të jetë sistemi aq më e madhe është transparenca”, tha Berisha.
...