Policia zbardh një plagosje të dyfishtë
Seksioni i vrasjeve ka mundur të zbardhë edhe një ngjarje tjetër, që ka të bëjë me plagosjen e dy personave disa muaj më parë. Bëhet fjalë për plagosjen me thikë të Jani Kondit, 33 vjeç dhe Mariglen Zenelit, 26 vjeç. Sipas të dhënave policore, autori i plagosjes së dyfishtë është Denis Lamka, që është kapur dy ditë më parë, duke tentuar të largohet nga Shqipëria nëpërmjet Rinasit. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës bënë të ditur se specialistët e seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit, mundësuan dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 29 korrik 2009 në kryqëzimin e Rrugës së Kavajës. Në atë datë, pikërisht te stacioni i autobusit, në afërsi të një lokali janë plagosur me thikë Mariglen Skënder Zeneli, 26 vjeç dhe Jani Themi Kondi, 33 vjeç. Dyshohet se autor i kësaj plagosje është Denis Halim Lamka, 36 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim policor. Ai u kap në tentativë për t‘u larguar nëpërmjet pikës së kalimit kufitar në Rinas. Policia shpjegoi se kishte prerë një biletë dhe tentoi të hipte në avion, por është njohur nga shërbimet policore dhe menjëherë është bërë ndalimi i tij. Materialet në ngarkim të tij do t‘i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në gjendje të lirë, për veprën penale të "plagosjes me dashje".