Policia rrugore e Durrësit, nën kontroll edhe Kavajën
Lëvizje në komisariatet policore të Shijakut dhe Durrësit, ndërsa policia rrugore e kësaj të fundit zgjeron territorin nën administrimin e saj. Në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës është bërë prezantimi i shefit të Komisariatit të Policisë Durrës, kryekomisar Agim Buçpapaj, i cili vjen në këtë detyrë nga drejtimi i Komisariatit të Mirditës, ndërkohë që shefi i mëparshëm, Ali Allaraj, emërohet shef në Njësinë Rajonale të Policisë Rrugore Lezhë. Ndryshime ka dhe në Komisariatin e Policisë Shijak, që do të drejtohet nga kryekomisar Agron Sulëshabani, ndërsa Sulejman Kalaja kalon në detyrën e shefit të Komisariatit të Policisë Librazhd. Në kuadër të ndryshimeve strukturore të policisë rrugore, është parashikuar struktura e re e Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore Durrës, e cila do të mbulojë me shërbim rrethet Durrës e Kavajë. Kjo njësi përfshin tre struktura: Seksionin e Qarkullimit dhe Sigurisë Rrugore; Seksionin e Verifikimit, Edukimit e Statistikës, si dhe strukturën për shërbimet mbështetëse. Në krye të Njësisë Rajonale Durrës është emëruar kryekomisar Ervin Hoxha, ndërsa në detyrën e shefit të Seksionit të Qarkullimit dhe Sigurisë Rrugore është emëruar komisar Daut Naço dhe në detyrën e shefit të Seksionit të Verifikimit, Edukimit dhe Statistikës, komisar Baftjar Adushi.
#