Masakra e Vidohovës, apelohet dënimi i butë
Familjarët e tre viktimave të fshatit Vidohovë, vëllezërve Mulliri, kanë depozituar një kërkesë për rishqyrtim të çështjes në ngarkim të Besim Karajit pranë Gjykatës së Apelit në Korçë. Sipas të afërmve të tre të rinjve të vrarë: Taulant, Xhiljan dhe Edlevan Mulliri, në mungesë të një reagimi prej organit të akuzës, ata kanë depozituar mëngjesin e së hënës një kërkesë për rishikimin e vendimit për autorin e krimit të trefishtë. Xhevahir Mulliri, babai i tre djemve të vrarë në fshatin Vidohovë, u është drejtuar sërish organeve të drejtësisë për rishikimin e vendimit që ka dënuar me 25 vjet Besim Karajn, ndonëse kanë përfunduar afatet ligjore për apelim të vendimit të Shkallës së Parë të Gjyqësorit.
“Gjyqi u bë me dyer të mbyllura dhe ne familjarët nuk u njoftuam për marrjen e vendimit. Unë si prind i tre djemve të vrarë nuk jam njohur zyrtarisht me vendimin në kohën e duhur dhe nuk kam pasur asnjë shans që ta ankimoj dënimin që u dha për vrasësin. Iu drejtova prokurorisë, por për sa kohë që nuk ishim palë në proces, nuk mund ta bënim më vete dërgimin në Gjykatën e Apelit. As prokuroria nuk e apeloi vendimin për dënimin me 25 vjet të Besim Karajt dhe kjo çështje kaloi në Gjykatën e Apelit vetëm kur Besimi kërkoi dënim më të ulët se 25 vjet. Kjo është absurde. Unë e kam drejtuar kërkesën në gjykatë pasi nuk jam dakord me këtë dënim. Si prind me tre fëmijë të vrarë dua dënimin kapital dhe për këtë i kam dërguar edhe shkresa Kryeministrit dhe Avokatit të Popullit”, thotë Xhevahir Mulliri.
Besim Karaj u dënua me 25 vjet burgim nga Gjykata e Korçës tre muaj më parë. Për faktin se seancat u zhvilluan me dyer të mbyllura dhe prokuroria nuk e ka bërë palë në proces familjen e viktimave, vendimi nuk është apeluar brenda afatit ligjor prej dhjetë ditësh. Megjithatë, babai i viktimave insiston se vendimi i gjykatës duhet të rishikohet. Mulliri ka kërkuar dënimin kapital të autorit të vrasjes së trefishtë të ndodhur në fund të muajit janar të këtij viti, në qendër të fshatit Vidohovë. Sipas babait të tre viktimave, ai i është drejtuar edhe Kryeministrit të vendit dhe institucionit të Avokatit të Popullit për rastin në fjalë, pasi familjarët nuk kanë qenë pjesë e akuzës dhe nga ana e prokurorisë çështja nuk është animuar në Gjykatën e Apelit.
Taulant, Xhiljan dhe Edlevan Mulliri u ekzekutuan në datën 29 janar të këtij viti nga Besim Karaj. Ky i fundit kishte zbuluar lidhjen intime të bashkëshortes me më të madhin e vëllezërve Mulliri dhe në shenjë hakmarrjeje vrau tre vëllezërit Mulliri në mes të fshatit Vidohovë. Në datën 26 prill të këtij viti, Gjykata e Shkallës së Parë të Korçës vendosi dënimin me 26 vjet burg të autorit, i cili kishte pranuar fajin, duke përfituar kështu uljen e një të tretës së dënimit, çka do të thoshte se ai përjashtohej nga dënimin me burgim të përjetshëm dhe dënimi më i lartë që parashikon ligji në këtë rast është 25 vjet heqje lirie.
#