E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problemet me një shtëpi lënë qytezën pa ujë

Ura Vajgurore

Vonesat në procedurën e shpronësimit një banese në Bashkinë e Urës Vajgurore kanë bërë që punimet për ndërtimin e ujësjellësit të ngelen në mes. Banorët e qytezës së Urës Vajgurore vazhdojnë të vuajnë pasojat e mungesës së ujit të pijshëm në banesat e tyre dhe pse punimet për ndërtimin e ujësjellësit kanë nisur që një vit më parë, por ende kanë ngelen të papërfunduara. Drejtori i ujësjellësit në Bashkinë e Urës Vajgurore, Gramoz Hazizolli, ka bërë të ditur dje se punimet për ujësjellësin duhet të kishin përfunduar që prej katër muajsh, por ato mbahen peng i shpronësimit nga ana e shtetit. Drejtori shprehet se menjëherë pas lëvrimit të fondit prej një milion eurosh u zhvillua procedura e përzgjedhjes së firmës për nisjen e punimeve. Por, ndonëse punimet nisën në kohë, ende nuk kanë përfunduar. Sipas drejtorit, institucioni i Bashkisë së Urës Vajgurore nisi procedurën e shpronësimit të një banese, por ende ky proces nuk ka përfunduar duke mbajtur në këtë mënyrë peng zhvillimin e punimeve. Punimet nisën në fshatin Bistrovicë të kësaj bashkie nga ku parashikohej që të shtrihej rrjeti i ujit të pijshëm nga vendi i quajtur Rahov dhe do të mundësonte furnizimin me ujë të pijshëm të banorëve të kësaj qyteze. Ndërkohë që është realizuar një pjesë e mirë e këtij investimi është parashikuar dhe fondi prej 5 milionë lekësh të vjetra për shpronësimin e një banese, ende për shkak të burokracive ky investim ka ngelur në mes. Në këto kushte, banorët e Urës Vajgurore vazhdojnë të furnizohen me bote për ujë të pijshëm, ndërsa uji që vjen në çezmat e tyre për shkak të ndotjes përdoret vetëm për shërbime të tjera. Prej vitesh në këtë qytezë ka qenë mjaft problematike ndotja e ujit të pijshëm, konsumi i së cilit nga ana e banorëve ka shkaktuar jo pak raste dhe rënie epidemish. Por, tashmë që investimi duhet të kishte përfunduar, ai vazhdon të mbahet peng i shpronësimit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›