Durrës, dy të vdekur e katër të plagosur në rrugë
Brenda 24 orëve janë regjistruar dy të vdekur dhe katër të plagosur në aksidente të ndryshme automobilistike në Durrës. Njëri nga dy aksidentet me vdekje ndodhi paraditen e së hënës në qytetin bregdetar të Durrësit. Një këmbësor u aksidentua për vdekje nga njëri prej autobusëve urbanë të linjës së plazhit. Ngjarja e rëndë rrugore ndodhi te sheshi “Pranvera”, kur autobusi i linjës Plepa-Durrës po futej në stacion. 31-vjeçari Osman Tellalli nga Durrësi po kalonte në shesh kur është përplasur nga autobusi me targa DR8485D. Menjëherë ai është dërguar në spitalin rajonal të Durrësit ku dhe ka humbur jetën, si rezultat i dëmtimeve të marra gjatë përplasjes. Shërbimet e policisë rrugore që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes kanë bërë ndalimin e drejtuesit të autobusit, ndërkohë që po hetohet për rrethanat e aksidentit vdekjeprurës që tronditi shumë prej pasagjerëve dhe qytetarëve të pranishëm në atë moment. Fillimisht, bazuar në një dokument që viktima mbante në xhep policia ka deklaruar një identitet tjetër të të aksidentuarit që më pas është identifikuar nga të afërmit. Ndërkohë, nga veprimet e para hetimore rezulton se ka qenë lëvizja e pakujdesshme në shesh e viktimës, por edhe mungesa e vëmendjes nga drejtuesi i mjetit të transportit urban për të frenuar në kohë dhe shmangur aksidentin tragjik. Ndërkaq, fundjava ka qenë e ngarkuar me ngjarje të tjera të rënda automobilistike. Në orën 21:45 të së dielës në superstradën Tiranë-Durrës, pikërisht në vendin e quajtur “Mbikalimi i Sukthit” pranë karburantit “Elda”, shtetasi Margarit Kume, 45 vjeç nga Tirana, duke drejtuar mjetin tip “Mitsubishi” me targa TR2999P, ka aksidentuar me pasojë vdekjen këmbësorin 57-vjeçar Flamur Laçi me banim në Sukth. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në polici, ndërsa vazhdojnë veprimet procedurale për ngjarjen. Ndërkaq, në tri aksidente të tjera të ndodhura në fundjavë në akse të ndryshme rrugore kanë mbetur të plagosur katër persona, dy prej të cilëve motoçiklistë të cilët ndodhen të shtruar në spitalin e Durrësit dhe sipas burimeve zyrtare të policisë janë jashtë rrezikut për jetën. Stina e nxehtë shton në mënyrë të ndjeshme numrin e aksidenteve në rrugët e rrethit bregdetar, ndërsa shkak kryesor mbetet mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët.
#