E Diel, 1 Nëntor 2026

I dehuri i shpëton policisë dhe grabit një makinë në rrugë

Elbasan Eduard Avdia u kap pas disa orësh ndjekje me veturën që rrëmbeu nën kërcënimin e armës

Një person i armatosur, në gjendje të dehur, ka terrorizuar për disa minuta banorët e lagjes "çamëria" të qytetit të Elbasanit dhe më pas, nën kërcënimin e armës, ka grabitur një makinë dhe 30 mijë lekë. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme, në kryqëzimin jugor të unazës së qytetit të Elbasanit, dhe më pas është zhvendosur në lagjen periferike “çamëria”, përtej urës së lumit të Shkumbinit, përgjatë rrugës Elbasan-Cërrik. Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, mesditën e djeshme, Eduard Avdia, 31 vjeç, banues në lagjen “Shënkoll”, në gjendje të dehur ka qëlluar në ajër dhe në drejtim të portës së banesës së tij me një armë zjarri tip “kallashnikov”, duke krijuar kështu panik te fqinjët dhe kalimtarët e rastit. Dyshohej se ai kishte kryer një grabitje në një prej familjeve të kësaj lagjeje, por kjo nuk është pohuar nga ana e policisë. Kjo e fundit ka sqaruar se shkak i ngjarjes mund të jetë bërë ndalimi i të vëllait të Avdiut, disa orë përpara ngjarjes, për dezertim nga shërbimi ushtarak. Aksioni i policisë për kapjen e tij ka vazhduar për disa orë, derisa ka dhënë rezultat rreth orës 16:40 të pasdites. Eduard Avdia, sipas burimeve zyrtare të policisë, pasi ka qëlluar për disa minuta, sapo ka parë që të mbërrijnë në vendin e ngjarjes forcat e policisë, është futur në një banesë dhe nuk i është përgjigjur thirrjes së policisë për t’u dorëzuar. Ai ka mundur të dalë nga dera e pasme e banesës rrugë, ku ka ndaluar një automjet me drejtues I.B., 40 vjeç, nga Cërriku, i cili udhëtonte me djalin dhe bashkëshorten e tij. Nën kërcënimin e armës automatike, ai ka grabitur automjetin dhe 30 mijë lekë që shoferi kishte me vete dhe është larguar nëpër fusha. Ndërkohë, policia ka vazhduar kërkimin e 31-vjeçarit me qen specialë, deri në fshatin Mjekës, ku dhe ka bërë ndalimin e tij rreth orës 16:40 të pasdites. Ndalimi i Avdiut është bërë në dalje të fshatit Mjekës, pasi ishte fshehur pranë shkurreve të kanalit vaditës “Naum Panxhi”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›