Me arkivole në rrugë pas vendimit
Protesta
Pas vendimit të Gjykatës së Korçës, që dënoi me 25 vjet burg vrasësin e tre djemve të familjes Mulliri, babai i viktimave, xhevahiri, dhe të afërm të tjerë të familjes, tentuan të bllokojnë rrugën kryesore të qytetit të Bilishtit në shenjë proteste. Ata dolën në rrugë me tre arkivole bosh, duke u bërë thirrje autoriteteve të drejtësisë të tregoheshin më të ashpër me vrasësin e trefishtë, Besim Karaj. Babai i viktimave i konsideroi të korruptuar gjykatësit që u treguan të butë me vrasësin e djemve. Por, për shkak të kësaj proteste, policia e Devollit dhe Gjykata e Korçës ngritën ndaj Xhevahir Mullirit dy akuza, policia për bllokim të rrugës dhe gjykata për shpifje. Për këto dy akuza, ndaj 50-vjeçarit nisi ndjekja penale në gjendje të lirë.
#