E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia ruse ndërhyn kundër ithtarëve të opozitës

Policia ruse ka ndërhyrë për të shpërndarë protestat kundër Kremlinit në Moskë dhe Shën Petersburg, me ç’rast ka arrestuar më shumë se 100 protestues, në mesin e tyre edhe disa udhëheqës të opozitës.

Në Moskë, disa qindra protestues u tubuan në sheshin qendror, duke injoruar ndalesën e autoriteteve për tubim. Protestuesit theksuan se ndalimi i tubimit është shkelje e kushtetutës së Rusisë, e cila garanton të drejtën për t’u tubuar.

Ata dënuan politikat e presidentit të Rusisë, Dimitri Medvedev dhe të kryeministrit Vladimir Putin, i cili ende po ushtron një ndikim të madh në skenën politike në Rusi.

Protestuesit klithën parullat “Turp” dhe “Poshtë Putini”, në momentin kur ndërhyri policia, duke i detyruar protestuesit që të hipin nëpër autobusë. Disa dhjetëra protestues u arrestuan, në mesin e tyre edhe udhëheqësit e opozitës, Boris Nemtsov, Eduard Limonov, Ilja Jashin dhe kryesuesi i grupit për të drejta të njeriut Memorial, Oleg Orlov.

Zëdhënësi i policisë, Viktoe Birjukov, theksoi se rreth 300 persona kanë marrë pjesë në protestën në Moskë, ndërsa 100 prej tyre janë arrestuar.

Policia ndërhyri me shpejtësi për të shpërndarë një protestë të ngjashme në Shën Petersburg, duke arrestuar me këtë rast disa dhjetëra protestues.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›