E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i INSTAT-it: “Inflacioni shkon 1.9 për qind, bie kostoja e jetesës”

Gjatë shkurtit kostoja e jetesës ka pësuar rënie. Ushqimet pësuan një rritje të lehtë me 1.6%

Ervin KOÇI

Instituti i Statistikave ka publikuar treguesin e inflacionit për muajin shkurt 2009, ku ka konstatuar një rënie të kostos së jetesës në vend. Sipas INSTAT-it, gjatë muajit të kaluar inflacioni ka arritur në 1.9 për qind, duke shënuar një rënie prej 1.7 përqindësh kundrejt së njëjtës periudhë të një viti më parë. Ndërsa krahasuar me muajin janar, INSTAT-i ka evidentuar një rritje të lehtë të çmimeve të produkteve ushqimore me 1.6 për qind. Por qytetarët po përballen me një shtrenjtim më të lartë të produkteve ushqimore nga sa evidentojnë shifrat zyrtare. Rritja drastike e çmimeve, e cila mendohet se është ndikuar edhe nga zhvlerësimi i monedhës kombëtare, lekut, vlerësohet nga tregtarët nga 50 deri në 100 për qind për artikull. Gjatë javëve të fundit çmimet e produkteve ushqimore kanë arritur në tregjet tona nivele shumë të larta, ndërkohë që konsumi ka rënë ndjeshëm. Krejt ndryshe po ndodh në vende të tjera të botës, kur për shkak të krizës ekonomike rënia e fuqisë blerëse është shoqëruar me ulje të ndjeshme të çmimeve.

Indeksi i çmimeve

Indeksi i çmimeve të konsumit në muajin shkurt 2009 arriti 103.3 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (dhjetor 07=100), duke shënuar një rritje prej 0.7 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Sipas INSTAT-it, ndryshimi vjetor në muajin shkurt është 1.9 për qind, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 3.6 për qind. Të njëjtat burime vënë në dukje se indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një rritje prej 1.6 për qind, me një ndikim prej 0.6 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi, rritja më e madhe prej 6.2 për qind vërehet në nëngrupin “Zarzavate përfshirë patatet”. Indeksi në nëngrupin ”Fruta” shënoi një rritje prej 4.9 për qind, ndërsa çmimet e disa frutave pësuan ulje gjatë muajit shkurt, si çmimi i limonëve me 5.0 për qind dhe portokajve me 2.8 për qind. Gjatë muajit shkurt çmimet në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve shënuan ulje, ku mund të përmenden uljet në nëngrupet ”Qumësht, djathë e vezë” 0.3 për qind dhe “Peshk” 0.1 për qind. Indeksi i grupit “Pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.2 përqindësh, kjo si rezultat i rritjes së çmimeve të pijeve alkoolike.

Shtrenjtohen shërbimet

Raporti i INSTAT-it ka vërejtur se një pjesë e shërbimeve në sektorët më kyçë të vendit kanë pësuar një shtrenjtim të lehtë gjatë muajit shkurt 2009. Kështu, sipas Indeksit, grupi “Shërbimi arsimor” shënoi një rritje 0.5 për qind, ku mund të përmendet rritja e pagesave për kryerjen e kurseve të ndryshme me 3.7 për qind. Sipas të njëjtave burime, indeksi i grupit ”Transport” shënoi një rritje prej 0.3 përqindësh. Gjatë muajit shkurt çmimi i naftës shënoi një ulje prej 1.5 për qind dhe çmimi i benzinës një ulje prej 1.6 përqindësh. Ndryshimet në grupet e tjera variojnë nga -0.1 për qind në + 0.4 për qind. Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0.2 përqindësh, me një ndikim -0.01 për qind në totalin e ndryshimit mujor.

10 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›