E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia thotë se dy shtetas amerikanë u arrestuan më kërkesë të FBI-së

Dy të arrestuarit, Fatbardh dhe Verjon Shtiza

Tiranë, 5 dhjetor 12:52 NOA - Drejtoria e Luftës Kundër Krimit të Organizuar tha se e kreu operacionin për arrestimin e dy personave në Shkodër, në bashkëpunim me Oficerë të FBI-së me kërkesë të palës amerikane.

“Në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër u finalizua operacioni i koduar “Letërporosia”, për ndalimin e Fatbardh Shtiza, 36 vjeç dhe Verjon Shtiza, 30 vjeç, të dy këta lindur në Shkodër, dhe me shtetësi Amerikane”, - sqaroi policia.

Ajo pohoi se ndalimi i tyre është bërë pasi Prokuroria E Rrethit Gjyqësor Shkodër ka nxjerrë një urdhër ndalimi.

Ky urdhër ka dalë në zbatim të kërkesës së autoriteteve të Gjykatës Distriktuale të Neë Xhersit në SH.B.A., për veprën penale të “Trafikimit ndërkombëtarë të lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim me persona të tjerë”.

Nga dosja hetimore ka rezultuar se dy vëllezërit në bashkëpunim me persona të tjerë kanë trafikuar lëndë narkotike në disa shtete të SHBA-së.

“Dy vëllezërit janë persona shumë të kërkuar nga FBI dhe nga ana jonë po procedohet, për ekstradimin e tyre drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, - tha Policia e Shtetit.

a.k/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›