E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vajzën e rrahu i shoqi, më dërgoi 100 euro për ditëlindje

31/05/2005  Dëshmon para gjykatës babai i të shfrytëzuarës dhe babai i tutorit

TIRANË – Duket se është vërtetuar akuza për trafikim ndaj të pandehurit Albeti Veshi. Trafikoi gruan e tij në Belgjikë për disa vite, duke marrë të gjitha fitimet. Dje në seancë gjyqësore dëshmuan babai i vajzës së dëmtuar dhe babai i të pandehurit. Aida Spaho quhet vajza e trafikuar. Babai i saj, Sejdin Spaho, ka treguar se i pandehuri ishte martuar me vajzën e tij pa marrë pëlqimin më parë.

Martesa

Martohen dhe largohen në Itali e më pas në Belgjikë. Gjithçka Sejdini e ka mësuar nga vajza. Tregoi se prej saj nuk ka marrë asnjë lek. I vetmi rast është ai për ditëlindje, kur vajza i dërgon 100 euro. Dëshmitari pohoi se në këtë rast vajza ishte rrahur nga i pandehuri. Për Sejdinin, vajza figuron ende e martuar, ndërsa shtoi se nuk ia fal faktin se e ka përdorur vajzën si prostitutë. Ndryshe foli babai i djalit, Arben Veshi. Ai i tha gjykatës se nuk ka shumë dijeni për veprimtarinë që ka kryer djali në Belgjikë. Pohoi se e dinte që djali me nusen punon në një lokal. Ndërsa nuk ka treguar burimin e parave me të cilat ka blerë një shtëpi, lokal dhe dy makina luksoze.

Babai i djalit

Babai i djalit ka pohuar se ka patur një hyrje në Berat, të cilën e ka shitur. Ndërsa hyrjet e blera në Sarandë janë më të shtrenjta. Prokurori Anton Martini, i ka përmendur babait të të pandehurit se shuma e parave me të cilat janë blerë pronat në Sarandë, është më e madhe se ajo që është shitur shtëpia në Berat. Aida Spaho, pasi ka bërë kallëzim kundër burrit, është paraqitur në gjykatë duke bërë dhe sigurimin e provës. Ishte vetëm 19 vjeçe kur rrëmbehet nga djali me emrin Albeti Veshi. Kështu, Aida Spaho largohet me emër dhe dokumente të rreme për në Itali. Albet Veshi u largua me emrin Lile Banushi, ndërsa vajza me emrin Vojsava Agolli. Fillimisht kaluan kufirin për të qëndruar disa kohë në shtëpinë e motrës së të pandehurit. Këtu bien dakord edhe për martesën. Ndërsa ishin në Itali, në Berat familjet e dy të rinjve bëjnë celebrimin në gjendjen civile. Gjithçka u bë e besuar. Një ditë të bukur të vitit 2000, nisen për në Belgjikë. Këtu do të nisë edhe kthesa e 19-vjeçares dhe bashkëshortit të saj të "rremë". Vajza të gjithë historinë e saj rrënqethëse e ka treguar me hollësi para Gjykatës së Krimeve të Rënda në një seancë për sigurimin e provës. Ka blerë apartament 36 milionë lekë dhe një lokal që kushtoi 55 milionë lekë. Të gjitha paratë, Albeti Veshi i ka dërguar në emër të babait, nënës dhe motrës së vet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›