E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia trajnohet për parandalimin e veprimeve terroriste

Në këtë kurs trajnimi janë trajtuar si tema kryesore të drejtat e njeriut, rrymat e terrorizmit, survejimi, financimi i terrorizmit, krijimi i një njësie të parandalimit të terrorizmit, menaxhimi i informacionit etj.

Ministri i Brendshëm Basha pasi falënderoi Ambasadën e SHBA për ndihmën e vazhdueshme në drejtim të përmirësimit të kapaciteteve të Policisë së Shtetit u shpreh se lufta kundër terrorizmit është një platformë ku bazohet bashkëpunimi mes të dy vendeve.

Ministri Basha vlerësoi në takim se është pikërisht ky partneritet strategjik, falë të cilit Shqipëria u anëtarësua në NATO, që parashikon rritjen e kapaciteteve për të kontribuar më shumë kudo në botë në luftën kundër terrorizmit si dhe për të parandaluar këtë rrezik global, i cili nuk është i izoluar, por i lidhur ngushtë me krimin e organizuar dhe trafiqet e paligjshme.

Zv. ambasadorja amerikane Deborah Jones falënderoi nga ana e saj oficerët e policisë për dedikimin dhe angazhimin e treguar për të përfituar përvojën e duhur nëpërmjet këtij kursi trajnimi. Jones siguroi se Ambasada e SHBA dhe qeveria amerikane do të vijojnë mbështetjen për përmirësimin e kapaciteteve dhe fuqizimin e burimeve njerëzore të Policisë së Shtetit.

Pjesëmarrësit që kryen këtë kurs trajnimi janë aftësuar të identifikojnë informatorë potencialë, të përdorin survejimet për të gjetur vendndodhjen, vendet e grumbullimit të terroristëve, të intervistojnë të dyshuar dhe dëshmitarë në hetime që kanë lidhje me terrorizmin, të kuptojnë metodat e financimit të terrorizmit, të zhvillojë një sistem të dhënash për të gjurmuar informatorët, dhe për të verifikuar informacionin e informatorëve.

Në ceremoninë që u zhvillua me rastin e përfundimit të këtij kursi trajnimi morën pjesë gjithashtu edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Z. Ahmet Prençi, Shefi i Zyrës Rajonale të Sigurimit Z. Dennis San Miguel, si dhe funksionarë të tjerë të kësa zyre dhe të Policisë së Shtetit.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›