Transferimi i gjyqtarëve, i detyrueshëm
Gjyqtarët do të transferohen në mënyrë të detyrueshme dhe pa miratimin e tyre. Ministria dhe KLD-ja do të analizojnë dosjet e çdo gjyqtari që preket nga lëvizjet dhe në bazë të arritjeve në punë ai do të emërohet. Nëse një gjyqtar i Shkodrës, Fierit, Vlorës, Elbasanit që banon në Tiranë dhe nuk ka ndonjë masë ndëshkuese apo paralajmëruese do të transferohet afër zonës ku banon, pa pëlqimin e tij. Në rastin e Gjykatës së Përmetit që është hapur rishtazi, burimet nga Ministria e Drejtësisë thanë se do të transferohen gjyqtarë nga Gjykata e Fierit, Gjirokastrës, Sarandës apo Vlorës, që janë afër qytetit të Përmetit. Sipas të dhënave nga ministria, gjyqtarët në këtë rast do të transferohen në mënyrë të detyrueshme, pasi asnjë gjyqtar nuk pranon të shkojë në një qytet të largët. Me dekretin e disa ditëve më parë të Presidentit Bamir Topi, sistemi gjyqësor ka caktuar edhe numrin e gjyqtarëve në Shqipëri, ndërsa e gjithë puna e lëvizjeve do të realizohet brenda një muaji dhe të gjitha ndryshimet duhet të kenë përfunduar në fund të muajit tetor të këtij viti. Duket se pas 14 viteve, sistemi gjyqësor shqiptar do të pësojë ndryshime drastike, ku do të realizohet një rokadë emrash në të gjithë Shqipërinë. KLD-ja dhe Ministria e Drejtësisë i janë "përveshur" punës për të transferuar gjyqtarë nga njëra gjykatë në tjetrën, pas dekretit të Presidentit. Reforma, sipas burimeve nga Ministria e Drejtësisë, do të fillojë menjëherë dhe pritet që të përfundojë në fund të muajit tetor me të vetmin qëllim: të plotësohet numri i çdo gjykate në bazë të dekretit të djeshëm të Presidentit të Republikës.