E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga biznesmenit për vrasje në ‘92-shin

Një biznesmen është arrestuar mesditën e djeshme gjatë një operacioni të realizuar vetëm 50 metra larg Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Arben Shehu është kapur gjatë operacionit të koduar "Mangalem", i realizuar nga sektorët e operacioneve speciale në Berat dhe Tiranë. Ai akuzohet për vrasjen me shpatë të Bandill Kodhelit në vitin 1992.
Policia e Tiranës bëri të ditur se sektori i operacioneve speciale të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat, në bashkëpunim me strukturat operacionale të Drejtorisë së Tiranës, pas një hetimi disajavor përfunduan me sukses operacionin policor të koduar "Mangalem", duke bërë të mundur arrestimin e shtetasit Arben Xhevit Shehu, 38 vjeç, lindur e banues në Berat. Ky person ishte dënuar me 21 vjet heqje lirie me vendim të datës 16 janar 1993 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për konsumim të veprës penale të vrasjes. I kërkuari, në vitin 1997 është larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit, ku po vuante dënimin për këtë vepër penale. Gjatë këtyre viteve, i kërkuari i është shmangur arrestimit duke u strehuar jashtë kufijve të Shqipërisë. Kohët e fundit ai ka qëndruar në Tiranë, duke u maskuar si biznesmen. Sipas grupit hetimor, për një periudhë të gjatë kohore ka jetuar jashtë vendit. Kur ka mbërritur në Shqipëri, disa muaj më parë, ka investuar paratë e mbledhura në biznes. Kështu, duke shfrytëzuar edhe disa njohje me politikën, babai i dy vajzave kishte hapur një mobilieri mu pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, te rruga "Myslym Shyri", pranë malores te kryqëzimi me rrugën "Sami Frashëri". Aty është mbajtur nën vëzhgim, derisa agjentët kanë vërtetuar identitetin e tij. Ditën e djeshme, ai është mbajtur nën vëzhgim gjatë gjithë ditës dhe rreth orës 17.00, kur po qëndronte përpara mobilierisë, i janë hedhur prangat. Menjëherë ka mbërritur një furgon policie, duke e shoqëruar për në Drejtorinë e Tiranës.
Sipas dosjes penale në ngarkim të tij, ai është dënuar për vrasjen e Bandill Kodhelit, të cilin, në bashkëpunim me vëllain dhe xhaxhain, e kanë qëlluar me thikë dhe shpatë. Nga të dhënat mësohet se më 21 maj të vitit 1992 ka gjetur vdekjen viktima Bandill Kodheli. Ky i fundit, gjatë asaj dite kishte goditur shtetasin Dine Shehu, xhaxhai i Arbenit, i arrestuar dje, duke e lënë pa ndjenja përpara një lokali. Dinia është gjetur pa ndjenja nga Mersin Shehu, vëllai i tij, ose xhaxhai tjetër i Arbenit. Ky, pasi e ka çuar në spital Dinen, ka shkuar në shtëpinë e vëllait tjetër Xhevit, që është babai i Arbenit, ku ka takuar këtë të fundit dhe i ka treguar ngjarjen. Arbeni, pasi ka marrë një thikë me vete, së bashku me xhaxhain Mersin, janë nisur drejt lokalit, ku pretendohej se ishte viktima. Rrugës janë takuar edhe me vëllain e Arbenit, Edmondin, i cili ka marrë me vete një shpatë dhe një tullë.
Pasi janë afruar në lokal, Edmondi ka hyrë për të kontrolluar nëse ndodhej viktima aty. Kur ka dalë nga lokali, Edmondi ka marrë tullën dhe ka hyrë sërish në lokal, duke qëlluar me tullë në drejtim të viktimës, por pa e prekur. Viktima është kundërpërgjigjur, duke e qëlluar me bastun druri. Në atë moment ndërhyn Arbeni, i cili e qëllon me karrige dhe ndërkohë që mbahej edhe nga Mersin Shehu, viktima është qëlluar me shpatë në kokë nga Edmondi dhe me thikë në ije nga Arbeni. Nga këto goditje, Bandill Kodheli ka humbur jetën. Nga organet e procedimit janë ndaluar Arben, Edmond dhe Mersin Shehu, duke u akuzuar për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim. Ata e çuan çështjen deri në Gjykatën e Lartë, por nuk i shpëtuan dënimit. Ndërsa në vitin 1997 u arratisën nga burgu, e deri dje, Arben Shehu kishte humbur gjurmët, por është kapur, e tashmë do të vuajë dënimin e marrë nga drejtësia shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›