Sherr për bastin, plagoset me dy plumba 31-vjeçari
Një person është plagosur në orët e natës me dy plumba, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Plagosja e tij ka ardhur pas një konflikti për baste në një pikë lotoje, ndërkohë që autori i ngjarjes është shpallur në kërkim. Gjithashtu, policia ka nisur punën edhe për identifikimin e tre personave të tjerë, të cilët mendohet se kanë bashkëpunuar me pronarin e pikës së lotarisë. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se ngjarja është regjistruar rreth orës 22.30 të së mërkurës. Pikërisht në atë orë është njoftuar se në rrugën "Ndre Mjeda", në pikën e lotarisë së Bledar Fejzullahut, 34 vjeç. ka ndodhur një plagosje me armë zjarri. Me t‘u njoftuar, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr. 2, të cilët kanë rrethuar zonën dhe kanë marrë të dhënat e para. Sipas informacioneve të këtij komisariati, Bledar Fejzullahu ka plagosur me pistoletë Armand Biçakun, 31 vjeç. Plagosja ka ardhur pas një debati për një bast të vënë në këtë lotari. Më pas, debati ka degjeneruar në sherr dhe në ndihmë të Fejzullahut kanë ardhur edhe tre shokë të tij. Aty, 34-vjeçari ka marrë pistoletën dhe ka qëlluar drejt Biçakut, që ka mbetur i plagosur me dy plumba. I dëmtuari është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ndërkohë që pronari i pikës dhe shokët e tij janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Policia deklaroi se me gjithë rrethimin e zonës, nuk është bërë e mundur kapja e tij dhe as identifikimi i bashkëpunëtorëve të tjerë. Më vonë, në ndihmë të komisariatit kanë ardhur edhe shërbimet e seksionit të vrasjeve, të cilët kanë marrë çështjen në dorë dhe po kryejnë veprimet e mëtejshme hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Policia shpjegoi se po negocion edhe me familjarët e autorit të identifikuar për vetëdorëzimin e tij.