Regjistrimi i vaksinave me sistem të informatizuar
Instituti i Shëndetit Publik analizon punën dhe risitë përgjatë një viti. Beteja me gripin e derrit, e fituar
Vaksinat, të vaksinuarit dhe gjithçka tjetër lidhur me këtë proces do të mbahen në kartela të kompjuterizuara. Një rrjet i madh do të ngrihet pikërisht duke nisur nga ky vit dhe gjithçka do të jetë e informatizuar në mënyrën më të mirë dhe më të rregullt. Për këtë projekt ambicioz është folur për herë të parë dje në Institutin e Shëndetit Publik gjatë analizës vjetore të vitit 2000. Instituti i Shëndetit Publik e ka fituar tashmë “betejën” me gripin pandemik dhe ka ditur të përballojë me seriozitet dhe profesionalizëm situatën e emergjencës të krijuar në zonën e Shkodrës. Tashmë kemi një situatë nën kontroll dhe dalja nga pandemia është një realitet. Të gjitha këto përfundime i ka dhënë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë analizës vjetore të Institutit të Shëndetit Publik. Ministri e ka konsideruar këtë institucion si lider në fushën e shëndetit dhe ka theksuar edhe njëherë nevojën e kualifikimit të kapaciteteve njerëzore.
Vetëm pak kohë më parë, Instituti i Shëndetit Publik u pranua si anëtar me të drejta të plota të Organizatës Botërore të Instituteve të Shëndetit Publik, INAPHI. Ndërkohë që, sipas drejtorit Alban Ylli, ka filluar puna për futjen e standardeve organizative dhe laboratorike bashkëkohore, ndaj dhe viti 2010 do të jetë i rëndësishëm në këtë drejtim.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, sipas një përllogaritje të afërt, specialistët e këtij instituti kanë kontaktuar me rreth 12 mijë mjekë infermierë dhe punonjës të shëndetit publik, arsimtarë, grupe të ndryshme të komunitetit, duke i trajnuar apo ndërgjegjësuar ata për problemet e ndryshme. Gjatë vitit të kaluar ka përfunduar studimi kombëtar i demografisë dhe shëndetit i kryer në bashkëpunim me INSTAT-in.
Një kampion përfaqësuar prej rreth 7500 femrash dhe 300 meshkujsh u intervistuan dhe u ekzaminuan për një numër treguesish me vlerë për politikat shëndetësore. Muajin e ardhshëm pritet të zhvillohet edhe një konferencë mbi gjetjet. Studimi është kryer për herë të parë për këtë format në vendin tonë. Ndërkohë që në kuadrin e studimeve tashmë ka përfunduar edhe studimi i dytë mbi sjelljet e rrezikshme te të rinjtë, çka mundëson analizat në kohë të prevalencës së këtyre faktorëve, efektin e politikave shëndetësore dhe parashikimin e problemeve shëndetësore në të ardhmen. Ndërkohë që një studim i tillë do të përsëritet çdo tre vjet.
Janë kryer një numër i madh ekspertiza sanitare, të ujit, ajrit, zhurmat, ushqimet, inspektime epidemiologjike dhe të programeve të shëndetit publik në të gjithë territorin e vendit. Këto aktivitete janë kryer në funksion të shërbimit të strukturave rajonale të shëndetit publik, komuniteteve, agjencive shtetërore dhe atyre private.
#