E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poliklinikat e Tiranës pajisen me aparatura të reja

Autori i Lajmit: red.
Qendrat Shëndetësore të Tiranës kanë tashmë një set të ri prej 28 pajisjesh bazë, ndërsa së shpejti ky proces do të përmbyllet në të gjithë vendin. Këto pajisje do të ndihmojnë mjekët e familjes, si edhe specialistët në Tiranë, që të ofrojnë në mënyrë sa më cilësore të gjitha shërbimet që janë pjesë e paketës së shërbimeve në parësor. "Ky është një hap shumë i rëndësishëm, për të cilin është punuar prej kohësh nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe Ministria e Shëndetësisë", tha të mërkurën drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, gjatë dorëzimit të këtyre pajisjeve në Qendrën Shëndetësore nr. 2 në Tiranë. Sipas saj, "falë financimit të Bankës Botërore po arrihet që në të njëjtën kohë, në të gjithë vendin të jepet një paketë bazë pajisjesh të domosdoshme, të cilat nuk do të mungojnë në asnjë qendër shëndetësore dhe do të sjellin një standardizim të shërbimit për të gjithë popullatën". Pajisjet për qendrat shëndetësore do të ndihmojnë mjekun e familjes të diagnostikojë më mirë sëmundjet e syve, veshit, përkujdesin ndaj fëmijëve, ndjekje më cilësore për pacientët me sëmundje kronike, përkujdesje më e mirë për gratë shtatzëna, duke matur të gjithë parametrat që përcaktojnë ecurinë e shtatzanisë. Gjithashtu, qendrat janë pajisur me sterilizator, me qëllim ofrimin e shërbimit me mjete brenda kërkesave të higjenës. Vaksinat, si pjesë e punës së përditshme do të mbahen në frigoriferë të rinj portable, me qëllim ruajtjen sa më mirë të tyre në çdo moment dhe ofrimin e shërbimit edhe në ato shtëpi që jane larg qendrave shëndetësore. Një nga pikat më të rëndësishme të projektit ka të bëjë me pajisjen e qendrave shëndetësore me aparaturën për të sëmurët me zemër, si dhe pajisjen e laboratorëve. Kështu, qendrat shëndetësore të Tiranës (mjekët specialistë) janë pajisur me EKG, me qëllim diagnostikimin e të sëmurëve kardiakë brenda qendrës. Gjithashtu, laboratorët e qendrave shëndetësore janë pajisur me fotometër, autoklave dhe centrifugë për të ofruar nje gamë më të gjerë analizash për pacientët. Duke folur për pajisjet laboratorike, si një ndër më kryesoret, drejtoresha e Qendrës Shëndetësore nr. 2 në Tiranë, Liljana Ramasaço, tha se "me to do të kryhen të gjitha ekzaminimet e nevojshme për pacienët. Pacienti duhet të ekzaminohet për shëndetin e tij, por këto ekzaminime janë të domosdoshme edhe për të plotësuar kartelën e të sëmurit dhe për të marrë ato medikamente që atij i nevojiten". Me shtimin e pajisjeve për kryerjen e analizave, por dhe zëvendësimin e pajisjeve të vjetra, do të mundësohet numër më i lartë analizash (7-8 analiza të reja më tepër), por dhe rritje e cilësisë së tyre dhe kryerje e tyre në një kohë më të shkurtër. Në qendrën shëndetësore nr. 2 kryhen aktualisht rreth 50-60 ekzaminime laboratorike në ditë për të gjithë popullsinë që mbulon me shërbim shëndetësor kjo qendër, ndërsa me pajisjet e reja, pritet që numri i tyre të arrijë në rreth 70 analiza në ditë.
Ky lajm është publikuar: 04/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›