E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika dënon dhunën ndaj Mero Bazes

TIRANE-
Sulmi ndaj Bazes, Topi: Të zbardhet ky akt vandal
Presidenti Topi ka reaguar sot ndaj dhunes mbi gazetarin mero baze duke denuar me ashpersi aktin vandal dhe dhunën e ushtruar.Presidenti shqiptar u kerkon organeve te shtetit të zbardhin pa vonesë ngjarjen dhe të venë përpara drejtësisë autorët e vërtetë.

Kreu i shtetit u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri që të analizojnë me shqetësim këtë akt duke u angazhuar realisht, dhe jo vetëm nëpërmjet deklaratave, në krijimin dhe garantimin e lirisë dhe pavarësisë së medias.

Dhunimi dhe presioni i drejtpërdrejtë apo i tërthortë ndaj medias dhe gazetarëve shqiptarëve është një kthim mbrapa në demokracinë që të gjithë dëshirojmë të ndërtojmë-perfundon deklarata e presidentit Topi

Ambasada SHBA: Të papranueshme presionet ndaj medias
Ambasada e SHBA shprehet e skandalizuar ndaj sulmit që iu bë gazetarit Mero Baze natën e mbrëmshme. Në deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës theksohet se sulmet fizike ndaj gazetarëve dhe forma të tjera të kanosjes së medias errësojnë lirinë e shtypit.

“Të gjitha format e presionit dhe kanosjes ndaj medias janë të papranueshme. Ambasada mbështet dënimin nga ana e Qeverisë së Shqipërisë të këtij akti dhe përkrah thirrjen e Kryeministrit që autoritetet përkatëse të kryejnë një hetim të plotë dhe të shpejtë të këtij incidenti dhe që ata që janë përgjegjës të japin llogari” thuhet në deklaratë.
Ambasada e SHBA-ve kërkon hetim sa më të shpejtë dhe të plotë të ngjarjes ndërsa shprehet e bindur për të vazhduar me forcë mbështetjen e lirisë së shtypit në Shqipëri.

Rama: Sulmi ndaj Bazes nga klienti i familjes në pushtet
Edhe kreu i Partisë Socialiste , Edi Rama dënoi sulmin ndaj gazetarit Mero Baze duke hedhur akuza kundër kryeministrit Berisha në lidhje me këtë ngjarje.
"Mbrëme u bë nje sulm gjakatar ndaj një gazetari nga klienti i familjes në pushtet theksoi Rama gjatë një konference për mediat.

Rama nënvizoi se vendi ka mbetur pa qeveri dhe gjykata, ndërsa sipas tij kryeministri Berisha u jep imunitet agresorëve.
Kryetari socialist i bëri thirrje kreut të shtetit të mos heshtë kundrejt rasteve të tilla por të reagojë për të mbrojtur lirinë dhe të drejtat e medias, duke mos u pajtuar , sic tha ai me gjakosjen e një gazetari vetëm sepse denoncon korrupsionin e qeverisë.

Berisha dënon dhunën ndaj Mero Bazes
Kryeministri Berisha ka reaguar sot përmes zëdheneses se tij Juela Mecani ndaj dhune së ushtruar mbremjen e se henes ndaj gazetarit Mero Baze.

Në njoftimin për shtyp citohet se “Kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha dënon me ashpërsinë më të madhe rrahjen dhe lëndimin e gazetarit Mero Baze, në një nga lokalet e kryeqytetit mbrëmë, si një akt të shëmtuar, të rëndë dhe të papranueshëm për shoqërinë e lirë”.

Rreth ngjarjes, kryeministri i ka kërkuar policisë të zbardhë ngjarjen dhe të nxjerrë para ligjit autorët. “Kryeministri Berisha ju kërkon organeve kompetente të ndërmarrin të gjitha masat për të nxjerrë përgjegjësinë e plotë ligjore të autorëve të këtij akti të rëndë”.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se “cenimi, keqtrajtimi dhe presioni i çdo forme ndaj gazetarëve për qeverinë shqiptare përbën një akt shumë të rëndë dhe të pajustifikuar nga asgjë”.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›