E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Politika e re" rikthehet për djemtë e Toçit

Seanca e katërt gjyqësore në
Gjykatën e Tepelenës përsëri
nuk i ka dhënë fund "odisesë"
së dy të rinjve nga fshati Toç i
Tepelenës, të cilët akuzohen nga
prokuroria për kryerjen e veprës
penale të organizimit të
paligjshëm të tubimeve. Ashtu si
në seancat e mëparshme gjyqësore,
bashkëfshatarë, banorë të
qytetit të Tepelenës dhe
përkrahës të qëndrimit të dy të rinjve
janë grumbulluar në qendër të
qytetit të Tepelenës dhe kanë organizuar
një tubim proteste në
përkrahje të të akuzuarve Orgen
Hasanbejkaj dhe Luan Halili.
Nga ana tjetër, edhe "Politika e
re", me protagonistët Erjon Veliaj
dhe Spartak Ngjela, më në fund
kujtohet për djemtë e Toçit. Për
herë të parë që nga qershori i vitit
të kaluar, qëndrimet nacionaliste
të djemve të Toçit kanë gjetur
mbështetje të politikës dhe politikanëve.
Në protestën e djeshme
që i paraprinte zhvillimit të seancës
gjyqësore të radhës në Tepelenë,
mes banorëve protestues
të fshatit Toç dhe banorëve të
shumtë nga qyteti i Tepelenës, dje
kanë marrë pjesë në tubim edhe
politikanë, konkretisht deputeti
Spartak Ngjela dhe kreu i Lëvizjes
G99, Erion Veliaj.
Përfaqësues të shoqatave të
ndryshme atdhetare, midis të
cilave edhe lëvizja "Mjaft", ka
paraprirë këtë seancë të shtyrë dy
javë më parë për mungesë të
prokurorit të çështjes, Përparim
Mele, me një tubim në të cilin i pari
e ka marrë fjalën Genc Llakaj, sekretar
i shoqatës atdhetare "Për liri
dhe dinjitet kombëtar". Pas tij, në
tubim kanë folur edhe deputeti
Spartak Ngjela dhe politikani i ri,
Erion Veliaj. Në fjalën e tij, avokati
Ngjela ka deklaruar se një gjyq i
tillë nuk është parë e dëgjuar prej
100 vjetësh në Shqipëri. Ngjela ka
theksuar se kohët e fundit janë
vënë re disa tendenca antishqiptare
që tentojnë të godasin disa
prej ikonave të historisë kombëtare,
të cilat tentojnë të denigrojnë
figura madhore të saj, si ajo
e Skënderbeut, Fan Nolit, Faik
Konicës e Luigj Gurakuqit, figura
të cilat kanë kontribuar për të ngritur
lart emrin e shqiptarit. Gjatë
fjalës së tij, avokati Ngjela i ka bërë
thirrje Kryeprokurores Ina Rama
dhe Presidentit Bamir Topi, për të
ndalur farsën e këtij gjyqi dhe për
të bërë kallëzim penal ndaj prefektit
të Qarkut të Gjirokastrës, Spiro
Ksera dhe kryebashkiakut të Himarës,
Vasil Bollano, për qëndrimet
dhe deklarimet e tyre antishqiptare.
Ndërsa lideri i lëvizjes G-99,
Erion Veliaj, në fjalën e tij në tubimin
e djeshëm në Tepelenë, ka
theksuar faktin se në Shqipërinë e
vitit 2009 po aplikohen dy standarde,
një për politikanët dhe një
për qytetarët e thjeshtë. Veliaj ka
goditur zellin e treguar nga disa
qarqe brenda qeverisë për të zhvilluar
këtë farsë gjyqësore,
ndërkohë që nga të njëjtat segmente
të shtetit heshtet për ngjarje
tragjike, ku ka pasur edhe viktima
njerëzore, sikurse është edhe
rasti i Gërdecit. Kreu i Lëvizjes G99,
i cili ishte më pas i pranishëm edhe
në seancën gjyqësore, ka theksuar
për "Shqip" se kjo çështje ka marrë
përmasa shumë më të mëdha
nga ç‘duhet për paaftësi të shtetit.
"Jam më se i zhgënjyer nga indiferenca
e shtetit dhe mungesa e profesionalizimit,
pasi në këtë rast,
prokuroria dhe gjykata pranojnë
që t‘i referohen ende një ligji komunist
për kërkesa dhe leje për
tubime, ndërkohë që për një gjë të
tillë, mjafton vetëm një njoftim i
thjeshtë", ka theksuar Veliaj pas
mbylljes së seancës së radhës në
sallën e gjyqeve në Tepelenë.
Tubimi në Tepelenë është shoqëruar
me këngë patriotike, parulla
dhe flamuj kombëtarë. Më pas,
të pranishmit në këtë tubim kanë
ecur në këmbë drejt sallës së
Gjykatës së Tepelenës, ku ka nisur
seanca gjyqësore e radhës ndaj dy
të rinjve. Para fillimit të seancës në
sallën e gjyqit, protestuesit kanë
vazhduar reagimet e tyre me
këngën patriotike "Eja, mblidhuni
këtu". Ngjarja, për të cilën akuzohen
dy të rinjtë, Orgen Hasanbejkaj
dhe Luan Halili, zë fill më 28
qershor të vitit të kaluar, kur ata së
bashku me shumë banorë të tjerë
të fshatit Toç të Tepelenës kanë
organizuar një tubim proteste në
hyrje të fshatit, në rrugën nacionale
Tepelenë-Fier, për të protestuar
ndaj deklaratave antishqiptare të
kryetarit të Bashkisë së Himarës,
Vasil Bollano, si dhe ndaj prefektit
të Gjirokastrës, Spiro Ksera, për
pjesëmarrjen e tij në një takimin
panepirot në Konicë të Greqisë.
Dy të rinjtë, të mbrojtur nga
avokat Xhafer Meçe, janë prej
gjashtë muajsh nën gjykimin e
gjyqtarit të Qarkut gjyqësor të
Gjirokastrës, Shkëlqim Mustafa,
ndërkohë që prokurori i çështjes
ka qenë Përparim Mele. Pas pyetjes
së dy dëshmitarëve, Nikolin
Thana, ish-shef i Komisariatit të
Tepelenës, si dhe Besnik Begaj, inspektor
në zonën e Krasit, seanca
është shtyrë sërish për në datën 11
shkurt me motivin e mungesës së
tre dëshmitarëve të tjerë.
Ndërkaq, në këtë seancë avokati i
dy të akuzuarve ka kërkuar pezullimin
e çështjes, por kjo nuk është
marrë parasysh nga gjyqtari Shkëlqim
Mustafa. Kësisoj është shtyrë
për të katërtën herë farsa gjyqësore
në ngarkim të të pandehurve
për organizim të protestave të
paligjshme, Orgen Hasanbejkaj
dhe Luan Halili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›