E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika, shkëndija që s fiket për Leonorën

Autori i Lajmit: red.
Leonora Jakupi
Leonora Jakupi: “Nga Volksvagen në një BMV të tipit X3”

“Volksvagenin nuk e shes. X3-shi është njëra nga veturat që më ka pëlqyer qysh kur ka dalë në treg”

Vajza me flokë natyrale ngjyrë lajthi, tri vitet e fundit ka arritur të ndryshojë lukun e saj, duke preferuar thuajse çdo vit nuanca e më të çelura, sikurse ka ndryshime të theksuara edhe në stilin dhe në këngët e saj … Ajo nuk kënaqet tërësisht me pamjen e saj. Këtë e pranon edhe vetë: “E dini si është kjo punë, nëse je njeri publik nuk guxon të dalësh në qytet dosido, sepse njerëzit të njohin dhe kanë dëshirë të të shohin mirë, sidomos fëmijët”, - thotë Leonora, duke na bindur se kujdesi për pamjen e jashtme është një lloj respekti për publikun. “Unë të dyja pjesëve u kushtoj rëndësi, sepse jam njeri publik dhe duke respektuar publikun respektoj edhe veten”. Ajo u lind më 3 mars 1978 në Skënderaj, ndërkaq, qysh nga paslufta jeton në lagjen “Dardania” në Prishtinë, bashkë me nënën, dhe vëllanë e saj. Karriera e Leonorës ka filluar në moshën 15-vjeçare, dhe paraqitja e saj e parë ka qenë në festivalin “Zëri i Drenicës”, me këngën “Dallëndyshe bukuroshe”. Ndërkaq, kënga më e dashur për të, mbetet kënga “A vritet pafajësia”, një këngë të cilën ia dedikoi babait të saj të vrarë, që ishte pjesëtar i UÇK-së. Ndryshe, këngëtarja Jakupi prej 7 vitesh radhazi preferon Durrësin, vend në të cilin ka blerë një shtëpizë, për të kaluar pushimet, jo vetëm në stinën e verës, por edhe fundjavat e stinëve të tjera. Ndërkaq, Leonora Jakupi, akoma është beqareshë , duke mos ngurruar të tregojë hapur, se “ende jam në pritje të dashuris딅

Kemi dëgjuar se në fëmijëri keni qenë një fëmijë i llastuar paksa. Çfarë kujtoni nga fëmijëria juaj?
Shumëçka! Kam qenë fëmija më i madh i prindërve të mi dhe të gjitha dëshirat m i kanë plotësuar prindërit, sidomos prej babit i cili vazhdimisht më ka marrë me vete nëpër udhëtimet e tij, qoftë edhe në ato zyrtare. Kam qenë njëra nga nxënëset më të mira në shkollë dhe gjithmonë pjesëmarrëse nëpër të gjitha aktivitetet. Kam pasur një fëmijëri të lumtur, një familje të shëndoshë. Natyrisht, pastaj prej fëmijërisë kujtoj edhe pjesët e këqija gjatë periudhës së regjimit serb, natyrisht helmimet e nxënësve, problemet nëpër shkolla, përndjekjet, pastaj zhvendosja nga objektet shkollore nga Skënderaj në një fshat e shumë peripeci të tjera…

Si rezultat i fëmijërisë suaj të llastuar ta quajmë, ju keni një shenjë në vetullën e djathtë. Si ndodhi që u lënduat?

(Qesh). Po e kam bërë te dajat, duke luajtur me një gur, e mbaj në mend edhe tani.

E përmendët më lart që keni qenë gjithmonë aktive në fushën e artit qysh nga fëmijëria. A do të thotë që qysh fëmijë ju lindi pasioni për këngën?
Është shumë e vërtetë, qysh shumë e vogël, ndoshta sa kam filluar të eci më kujtohet që merrja një karrige dhe hipja mbi të për t`i imituar këngëtarët që i shihja në televizion. Kam qenë imituese shumë e mirë dhe në përgjithësi e kam dashur fushën e artit. Në pikturë kam qenë e jashtëzakonshme, mirëpo meqenëse unë këndoja vazhdimisht dhe duke parë talentin tim, prindërit më kanë ndihmuar shumë që ta realizoj ëndrrën time.

Kënga është art i komunikimit me njerëzit. Përse e zgjodhët këtë lloj arti?
Me qenë në skenë, me qenë afër njerëzve është ndjenja më e mirë, vetëm ai që e përjeton di ta tregojë këtë ndjenjë. Ka mënyra të ndryshme të komunikimit me njerëzit, mirëpo, meqë unë kam zgjedhur këtë fushë, jam shumë e lumtur.

Leonora kanë kaluar 12 vite që kur ju kemi parë për herë të parë në festivalin e RTSH-së, duke shënuar kështu edhe si fillim i karrierës suaj. Çka konsideroni sukses dhe çka dështim gjatë këtij rrugëtimi 12-vjeçar në skenën e muzikës?
Faktikisht, ndoshta po aty edhe shënohet fillimi i karrierës sime. Edhe unë kam qenë shumë e vogël, në atë festival ka qenë hera e parë. Ndoshta pse ka qenë festivali i vetëm në trojet shqiptare, duke pasur parasysh në çfarë rrethana dhe kushte jetonim në atë kohë, ka qenë mundësia e vetme që të prezantohem në atë festival. Kam marrë iniciativën natyrisht me përkrahjen e prindërve dhe të miqve të mi, kompozitorëve Alfred Kaçinari e shumë miqve të tjerë që kam pasur në Shqipëri, ma kanë mundësuar që të marrë pjesë. Në atë festival jam shpërblyer edhe me çmimin “Debutantja më e mirë” dhe ka qenë një eksperiencë shumë e mirë. Dështime nuk kam pasur, sepse në skenë unë e kam pasur përkrahjen e publikut dhe gjithmonë prezantimet e mia nëpër koncerte sallat i kam pas plot me njerëz dhe kjo vetë konsiderohet si sukses. Absolutisht nuk jam imponuar në publik për vetë faktin se unë për 12 vite karrierë kam nxjerr vetëm pesë albume.

Nuk ju shohim shpesh nëpër Prishtinë, a është kjo çështje kohe apo nuk dëshironi të ekspozoheni shumë për t`i lënë vend suksesit nëpër televizione?
Ndoshta edhe nuk kam shumë kohë me dalë shumë shpesh, mirëpo unë edhe nuk kam dëshirë të ekspozohem shumë dhe njeriu duhet t`i ketë ato vendet e tij të caktuara ku preferon të shkojë me shoqëri, ku me miq, ku me bashkëpunëtorë.

Veturën e keni ndërruar së fundi. Prej një Volksvageni në një BMV të tipit X3, a është kjo pagesa e një reklame televizive që e ke realizuar?
Volksagenin e kam ende. Jo, nuk është pagesa e reklamës. Faktikisht, veturën e re e kam blerë në kohën kur e kam bërë marrëveshjen me kompaninë për të cilën e kam bërë reklamën. X3-shi është njëra nga veturat që më ka pëlqyer qysh prej fillimit kur ka dalë në treg.

Volksvagenin thatë që nuk e keni hequr, pse kjo afërsi kaq e madhe e Leonorës me këtë veturë, a mos është ndonjë dhuratë speciale nga dikush special?
Jo, është vetura ime e parë që kam pasur dhe e dua shumë. Shtatë vite kam që e vozit dhe s`besoj që do ta shes ndonjëherë. Por edhe na duhet ajo veturë, sepse vëllai tashmë është me studime në Shqipëri dhe po e shfrytëzon ai.

A ju ka ndodhur ndonjëherë të refuzoni ndonjë këngë për shkak se nuk ju është përshtatur karakterit, apo për shkak të tekstit a kompozimit?
Shumë shpesh. Gati gjithmonë, unë mendoj që për ta realizuar një album të mirë me tetë këngë duhet t`i kthesh ose t`i refuzosh diku rreth 30 ose 50 këngë që të ofrohen. Pastaj edhe kompozitorët i kanë ngatërruar ndoshta pak këngëtarët apo tregun. Unë e kam krijuar emrin vetëm me origjinalitet, kështu që nuk preferoj të bëj diçka që del jashtë natyrës sime.

Fustanet i keni shumë speciale dhe asnjëherë nuk keni dalë në skenë me të njëjtin fustan. A është kjo shija juaj personale apo është dikush tjetër që qëndron prapa kësaj pjese të suksesit tuaj?
Kryesisht për të gjitha veshjet e mia kam pasur njëfarë bashkëpunimi me mamin, se si do të dal, si do të vishem, çka është më interesante e çka jo, pastaj veshja duhej t`i përshtatej karakterit tim, këngës gjithsesi. Kohët e fundit një meritë të veçantë e ka edhe dizajneri, Valdrini, që më ka ndihmuar me kreacionet e tij.

Sa kohë i kushtoni pamjes suaj në skenë dhe në jetën e përditshme, a ka dallim Leonora në jetën e përditshme nga skena?
Në përgjithësi i kushtoj rëndësi pamjes. E dini si është kjo punë, nëse je njeri publik nuk guxon të dalësh në qytet dosido, sepse njerëzit të njohin, dhe kanë dëshirë të të shohin mirë, sidomos fëmijët. Duke respektuar publikun, respektoj edhe veten.

Sipas teje, a është e nevojshme që një këngëtare të provokojë në skenë, apo nuk mund të kuptohet një këngëtare e pëlqyeshme sot pa provokime skenike?
Tashmë është bërë njëfarë trendi me qenë më provokuese në skenë, pastaj të bësh këngë të huazuara, mos me u lodh shumë duke punuar por t`i marrësh të gatshme. Për mendimin tim nuk është e nevojshme, është e rëndësishme të kesh këngë të mira.

Tema e këngëve tuaja gjithmonë është e përkushtuar tek dashuria. Pse?
Kjo është një pyetje që edhe unë ia kam parashtruar vetes. Ndoshta do të kishte qenë më mirë që në albumin e ardhshëm të merrem pak edhe me tema sociale. Kjo ka ndodhë ndoshta edhe pse unë kam qenë një këngëtare e re dhe kam pasur dëshirë t`i këndoj gjeneratës sime. Unë kam pasur edhe këngë me motive patriotike. Kështu që ia lëmë së ardhmes, besoj që do të merrem më shumë me motive sociale.

Nëpër të gjitha intervistat që keni dhënë deri tani, kur ju kemi pyetur për jetën private apo një lidhje të mundshme, ju gjithmonë keni deklaruar se jeni duke e pritur njeriun tuaj të zemrës. A mos po e tremb Leonorën një lidhje që do ta çonte deri në martesë?
Jo, nuk më tremb kjo. Edhe pse njeriu duhet te jetë i përgatitur për të hyrë në martesë, unë konsideroj që akoma nuk jam e përgatitur, kam disa të tjera punë për të bërë para se të vijë deri tek martesa. Por, kurrsesi nuk më tremb, sepse është një proces që duhet të vijë. Kur vjen, nuk e di.

Kur dashuron Leonora?
Familjen time e dua më së shumti në botë, sidomos mamin. Por në atë aspektin që po pyesni ju, kur të dashuroj kam me tregu sinqerisht.

A keni të dashur?
Leonora: Jo.

Kujt i keni thënë për herë të fundit të dua?
Mbesës sime të vogël që mezi po pres të vijë në këtë botë.

Çfarë jeni në gjendje të bëni për dashurinë?
Ndoshta gjithçka, ndoshta asgjë. Varet.

Cila është pjesa e trupit të një mashkulli që do t`ju kishte pëlqyer?
Duart dhe dhëmbët.

Puthja e parë nëse të kujtohet?
Moti, shumë moti.

Si mund të fitohet një mashkull sipas teje, Leonora?
Duhet të jesh vetvetja, të mos ikësh nga karakteri yt, të jesh natyrale në mënyrën e komunikimit. Nuk ka ndonjë filozofi, sepse njerëzit mendojnë që duhet të bësh kushedi se çka për ta fituar një mashkull. Gjërat duhet të rrjedhin natyrshëm dhe, nëse veç e gjen një gjuhë të përbashkët, me siguri që do ta fitosh.

Lista e kritereve tuaja për një mashkull?
Jo, nuk jua tregoj, sepse m i vidhni mandej... (qesh)

Po CD-të që i dëgjoni më së shpeshti në makinë?
Duhet të mendoj cilat i kam në makinë tashmë. E di që i kam dy CD që nuk i kam hequr me vite nga vetura, është Celine Dion dhe Mariah Carey dhe i dëgjoj vazhdimisht. Përndryshe CD-të e Sabri Fejzullahut, i kam gjithmonë në veturë, Sinan Vllasaliun patjetër. A këndon në dush?
Rrallë shumë rrallë, sepse kur jam në dush jam e preokupuar me diçka tjetër (qesh).

A jeni nga ata persona që flet vetëm një herë, apo mund të negociohet me ju?
Varet për çka. Jam shumë e vendosur, i kam kriteret e mia për punën që bëj dhe jam strikte në atë që flas. Por edhe mund të negociohet.

Një dëshirë jotja, qoftë edhe joreale, që do të doje shumë ta realizoje, përpara se të iknin vitet?
Dëshirat që kam pasur, i kam realizuar edhe pse njeriu nuk ngopet asnjëherë me dëshira, gjithmonë lind një dëshirë e re. Kam dëshirë të jem me familje, me një familje të shëndoshë, fëmijët e mi, kjo është e tëra.

A e shikoni karrierën si një mundësi të mirë për të qenë e lumtur apo mendoni se karriera ndonjëherë të bën të ndihesh e vetmuar?
Të jesh person publik, natyrisht që privohesh nga shumë gjëra, kështu që njeriu vetë e bën veten të lumtur. Askush nuk ta ofron një lumturi, nëse nuk punon për ta arritur. Mirëpo njeriu mundet me qenë më pak i lumtur, nuk është karriera ajo që të bën të lumtur, janë njerëzit, miqtë, udhëtimet. Karriera edhe të privon nga lumturia shpeshherë.

Nëse s do të kishit zë dhe nuk do të mund të ishit këngëtare, çfarë do të ishit?
Do të isha marrë prapë me art, edhe pse kohëve të fundit po më pëlqen politika. Thashë edhe në fillim që kam pikturuar shumë mirë dhe vazhdoj ende kur gjej kohë të lirë. Kështu që me siguri do të kisha qenë piktore.

... a është ky një sinjal që në të ardhmen do t`ju kemi në politikë?
Ndoshta, kur t`i bëj edhe ca vite në këngë, atëherë kur zëri do të fillojë të më lërë dhe s`mund të jem aktive në skenë.

A mendoni se muzika është një bazament i mirë për një politikane të ardhshme?
Pse jo, mund të jetë. Janë dy fusha krejt ndryshe njëra me tjetrën. Mendoj që do ta kisha dhënë një kontribut, sepse jam fytyrë publike, i njoh problemet sociale. Të jesh personalitet publik dhe afër me njerëzit, e lehtëson këtë punë.

Çfarë ju hidhëron, Leonora?
Në kohën që po jetojmë më preokupon ekonomia dhe kisha pasur dëshirë që në të ardhmen, faktikisht gjithmonë e kam cekur se gjatë karrierës sime do ta formoj një organizatë humanitare, e cila do të ishte marrë me problemet e njerëzve të varfër. Kështu që kjo është një ëndërr që shpresoj ta realizoj në të ardhmen.

Ndërkohë që nëna juaj i menaxhon paratë tuaja, në një të ardhme kur do të martoheni a do ta ndërroni menaxherin?

Jo, asnjëherë jo. E marr mamin me vete me siguri (qeshet).
Intervista është dhënë për revistën VIP Press

Ky lajm është publikuar: 27/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›