E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Reforma në Drejtësi, vendimtare”

Autori i Lajmit: red.
Socialistët japin konsensusin për projektligjin për Prokurorinë duke vlerësuar se drafti është në pajtim me rregulloren. Në Komisionin e Ligjeve, socialisti Fatmir Xhafaj theksoi se Reforma në Drejtësi është vendimtare për integrimin e vendit. Duke vlerësuar kontributin e ndërkombëtarëve, Xhafaj tha se nga shqyrtimi i projektit të paraqitur dhe komenteve ligjore të asistencës konstatohet se projektligji që na ka ardhur për shqyrtim e miratim, përgjithësisht, ka reflektuar drejt disa prej rekomandimeve të aktorëve ndërkombëtarë si OPDAT dhe EURALIUS. “Projektligji vjen si përmbushje e kërkesave të partneritetit evropian për forcimin dhe garantimin e statusit të prokurorit, duke rregulluar ndjeshëm vlerësimin e punës, ngritjen në detyrë dhe transferimin e prokurorëve të të gjitha niveleve. Projekti ofron përmirësime në aspektin e forcimit të organizimit institucional duke qartësuar një sërë dispozitash që lidhen me drejtimin, hierarkinë, kufizimin e pushteteve individuale etj. Të tilla janë propozimet për të shtuar disa nene pas nenit 3 të ligjit në fuqi dhe sidomos propozimet që kanë të bëjnë me shkallën e hierarkisë në prokurori dhe në kufizimet e pushtetit të prokurorit më të lartë, përkatësisht shtesa në nenet 3/b dhe 3/c të projektligjit. Konstatojmë se propozimet në këto pika janë të përqasura me rekomandimet Rec(2000)19 të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës”, - tha ai. Në relacionin e tij Xhafaj ka shtuar se projektligji duhet të ofronte më shumë për forcimin e pavarësisë së institucionit në raport me pushtetet e tjera e veçanërisht me ekzekutivin duke parë më me theks pavarësinë e prokurorit në ushtrimin e detyrës edhe përmes reformimit më të plotë të parimit të hierarkisë në radhët e Prokurorisë, rritjen e efikasitetit të ndjekjes penale nëpërmjet rritjes profesionale dhe eliminimit të ndikimeve jashtëligjore (përfshi edhe korrupsionin) dhe respektimin e ligjshmërisë demokratike dhe lirive e të drejtave themelore të shtetasve në procesin penal”, - shprehet më tej Xhafaj. Deputeti socialist është shprehur më tej për nevojën e ridimensionimit të rolit të prokurorit dhe policisë gjyqësore, duke e kthyer prokurorin në një mbikëqyrës të hetimit penal dhe përfaqësues i vetëm akuzës në gjyq, por duke ia deleguar realisht kompetencat e hetimit dhe një pjesë të veprimeve procedurale gjatë hetimit policisë gjyqësore, duke synuar konsolidimin e rolit të policisë gjyqësore dhe duke krijuar mekanizmat e nevojshëm që rekrutimi dhe karriera e tyre të jenë në harmoni me vlerësimet e dhëna nga organi i Prokurorisë, me qëllim shmangien e njëanshmërisë nga hierarkia e institucionit nga varet administrativisht policia gjyqësore.
Ky lajm është publikuar: 27/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›